Shkup, 19 maj – Pjesa dërmuese e qytetarëve, përveç elektoratit të VMRO-së, akuzojnë se edhe Ministria e Punëve të Brendshme ndihmoi eskalimin dhe dhunën në Parlamentin e Maqedonisë natën e 27 prillit. Anketa e televizionit Telma tregon se 79.9 për qind e votuesve të LSDM-së, si dhe mbi 80 për qind e elektoratit shqiptarë të partive shqiptare janë shprehur se policia ndihmoi dhunën me mungesën e reagimit në kohë. Në elektoratin e VMRO-së, 51.8 për qind e mendojnë të kundërtën – se policia ndihmoi në mos eskalimin e situatës, ndërsa 25 për qind mendojnë sikurse elektorati i LSDM-së dhe shqiptarët. Madje, VMRO-në si përgjegjëse për dhunën në Parlament e shohin 68.2 për qind e elektoratit të LSDM-së, si dhe gati 100 për qind e shqiptarëve të anketuar. Por, ndryshe mendojnë në VMRO. Mbi 19 për qind e votuesve të partisë së Nikolla Gruevski akuzojnë se skenari i dhunës në Parlament ishin “shërbimet e huaja”, 10.1 për qind thonë se LSDM, ndërsa 24.3 për qind nuk janë përgjigjur. Anketa e TV Telma është realizuar më 10-15 maj me 1000 anketues. (koha.mk)