Dar es Salaam, ashtu siç aludon edhe emri i tij, është qytet në Afrikën Lindore në të cilin miliona njerëz të besimeve dhe kulturave të ndryshme jetojnë në paqe, shkruan Anadolu Agency (AA). I themeluar si qytezë e vogël në brigjet e Oqeanit Indian rreth 150 vite më parë, Dar es Salaam sot ka popullsi prej 4.5 milionë banorësh me port natyror, turizëm dhe jetë tregtare. Qyteti në fjalë, i cili fillimisht ishte kryeqytet i kolonisë së Afrikës Lindore Gjermane dhe më pas i kolonisë angleze, pas pavarësisë në vitin 1964 mbeti për 32 vite kryeqytet i Republikës së Bashkuar të Tanzanisë. Dar es Salaam, që njihej me emrin Mizizima, fitoi famë dhe rëndësi me emrin Dar es Salaam pasi i biri i sulltanit të Zanzibarit Sejid Said, sulltani Sejid Maxhid, ndërtoi një pallat dhe disa ndërtesa në vitin 1862. Qyteti ka marrë emrin nga kompozita “Daru’s-selam”, që në Kur’an përdoret për Parajsën dhe që ka kuptimin “vend i paqes”.
SHUMICA E POPULLSISË ËSHTË MUSLIMANE
Pjesën më të madhe të popullsisë së qytetit e përbëjnë muslimanët, ndërsa krahas një pjese të besimit vendas, në të jetojnë edhe shumë të krishterë. Në disa lagje të qytetit, bashkësi të ndryshme mund të shihen së bashku në xhami dhe kisha në të cilat shkojnë. Arabët dhe indianët, të cilët shekuj më parë zbarkuan në këto troje për tregti, janë pjesë e rëndësishme dhe njëkohësisht e shkëputur në masë të madhe nga rrënjët e tyre, madje në atë mënyrë që gjenerata e re indiane që flet gjuhën Svahili nuk di asgjë për origjinën dhe vendin prej ku kanë ardhur.
QYTETI KA POZITË ME AVANTAZH PËR TREGTARËT
Dar es Salaam posedon një nga portet më të mëdha natyrore në Afrikën Lindore, duke pasur kështu një pozitë me avantazh për tregtarët të cilët duan t’i transportojnë mallrat e tyre në shtete si Ruanda, Burundi dhe Kongo. Qeveria dëshiron të rrisë aktivitetin e portit duke arritur marrëveshje reciproke dhe duke ndërtuar rrugë dhe hekurudha të reja, duke synuar ta shndërrojë qytetin në qendër të madhe tregtare në Afrikën Lindore. Në Portin e Dar es Salaamit, që është një nga tre portet e Tanzanisë, zhvillohet 90 përqind e trafikut të ngarkesave. Porti njëkohësisht është porti i katërt më i madh në Afrikë që ka dalje në Oqeanin Indian, pas porteve të Durbanit, Mombasas dhe Maputos me çka paraqet një derë të madhe për transportimin e mallrave si brenda vendit, ashtu edhe në shtetet fqinje të Tanzanisë në perëndim.
METROBUSI, ZGJIDHJE PËR PROBLEMIN E TRAFIKUT
Qindra mijëra turistë çdo vit e vizitojnë qytetin me bukuri natyrore. Ai përbën destinacion edhe për ata që dëshirojnë të shkojnë në plazhe, parqe natyrore dhe qytete të tjera turistike. Rajoni më i zgjedhur për pushim dhe bujtje nga turistët që vijnë në Dar es Salaam, qytet ky me klimë të ngrohtë dhe të lagësht, është Masaki. Ndërkaq, një nga problemet në rritje të qytetit është trafiku i dendur rrugor, i cili kryesisht shkaktohet nga mungesa e infrastrukturës, teksa shumë njerëz migrojnë dhe shumë të huaj e vizitojnë qytetin për qëllime afariste. Në qendër dhe periferi të qytetit shpesh herë është e mundur të rastisen automjete të dorës së dytë të cilat sillen nga Japonia. Për të zgjidhur qoftë edhe në masë të vogël problemin e trafikut rrugor, në të cilin automjetet lëvizin në anën e majtë si rezultat i kolonizimit anglez me vite të tëra, përdoret linja e metrobusit e cila lidh pikat e rëndësishme të Dar es Salaamit, siç janë Posta dhe Kariakoo.
KARIAKOO, VENDI I TREGTISË SË DAR ES SALAAMIT
Kariakoo është qendra e tregtisë së Dar es Salaamit, në të cilin qindra shitës që dëshirojnë t’i shfaqin mallrat e tyre shesin produkte të shumta, nga veshmbathja deri tek pajisjet elektronike, në dyqanet apo tezgat në këtë vend. Në tjetër pikë e tregtisë në qytet është rajoni Posta. Rajoni është i rrethuar nga ndërtesa të ndërtuara para vitit 1950, ku pjesën më të madhe të esnafëve e përbëjnë muslimanë me origjinë indiane.
FISI MASAI, GARDIANËT E QYTETIT
Fisi Masai, i cili jeton në pjesët periferike, kujdeset për sigurinë e qendrave tregtare dhe hoteleve. Ata janë në mesin e atyre që kanë ardhur në Dar es Salaam për të përfituar nga pasuritë e tij. Populli Masai është i integruar në jetën e qytetit duke mos hequr dorë njëkohësisht nga veshjet tradicionale, ndërsa për shkak të karakterit luftarak dhe besnikërisë, ata parapëlqehen si punonjës të sigurisë.
VARFËRIA PRAPA NDËRTESAVE
Sado që Dar es Salaami t’i ngjajë ndonjë qyteti të Perëndimit, vëmendje tërheq edhe varfëria prapa ndërtesave gjigante që ndërtohen çdo ditë. Në lagjet e varfra, në të cilat strehohen punëtorët në qytet, njerëzit bëjnë luftë për mbijetesë. Gjashtëdhjetëvjeçarja Pili Mfaume Muhando, e cila punon në njërin nga tregjet e perimeve në rajon, është një nga këta persona. Duke folur për AA, Muhando rrëfen se edhe krahas moshës së shtyrë, siguron jetesën duke shitur perimet çdo mëngjes i blen nga bujqit. Ajo tregon se burri i saj ka vdekur para dhjetë vitesh dhe se ka katër fëmijë. “Kam një fëmijë që shkon në universitet. Brenga ime e vetme është ta shkolloj atë”, thotë Muhando për AA.