Southampton ka nënshkruar me ish-mbrojtësin e Juventus dhe Barcelona Martin Caceres deri në fund të sezonit. Lojtari i cili kishte mbetur pa ekip dhe që ka 68 paraqitje me përfaqësuesen e Uruguait, u largua nga gjigantët e Serie A Juventus në verë pasi i përfundoi kontrata me Zonjën e Vjetër.
Caceres ishte shumë pranë disa ekipeve gjatë merkatos së janarit, madje kreu vizitat mjekësore te Milan por nuk pranoi kontratën e kuqezinjve pasi nuk ishte i kënaqur me rrogën e ofruar nga Galliani.
29 vjeçari ka luajtur gjithashtu për ekipet spanjolle si Sevilla dhe Barcelona, duke fituar La Liga dhe Champions League gjatë periudhës së tij në “Nou Camp”. Ai do të jetë një lojtarë që do të zëvendësojë të dëmtuarin Virgil van Dijk, pasi holandezi do të qëndrojë për tre muaj larg fushave pas dëmtimit në kavilje.