BE: Shqipëria s’ka kapacitet për të luftuar sëmundjet ngjitëse

2

Ky janar për Shqipërinë deri më tani ka qenë një muaj ngricash e virozash që kanë prekur një pjesë të mirë të popullsisë. Deri më tani nga gripi rezulton të jenë prekur rreth 19 mijë persona. Simptomat e para të gripit u shfaqën që në fillim të muajit dhjetor të 2016-ës, por megjithatë autoritetet kanë filluar të marrin masa vetëm në fillim të muajit janar. Bashkimi Evropian ka bërë një Progres-Raport për Shqipërinë lidhur me këtë temë. Sipas këtij raporti, Shqipëria nuk ka kapacitete për të identifikuar dhe vepruar në mënyrë të efektshme ndaj rasteve kur ka një përhapje në masë të sëmundjeve ngjitëse. Përveç kësaj, në raport thuhet që autoriteteve shqiptare u mungon një koordinim midis sistemit të raportimit të rasteve të sëmundjeve dhe sistemit të regjistrit kombëtar elektronik të shëndetësisë.

Faqja 82 e raportit shkruan mbi këtë: “Mbi sëmundjet ngjitëse, në mars (2016) parlamenti miratoi një ligj për kontrollin e sëmundjeve infektive që synonte të bënte përafrimet përkatëse me ligjet e Bashkimit Evropian. Të infektuarit me HIV/AIDS vazhdojnë të kenë vështirësi për të marrë shërbime shëndetësore. Një plan strategjie dhe veprimi për kontrollin e mushkonjave mbetet për t’u miratuar. Sistemet e raportimit për sëmundjet ngjitëse dhe laboratorët mikrobiologjikë nuk janë të integruar me sistemin e regjistrit kombëtar elektronik të shëndetësisë. Kapaciteti i laboratorëve mikrobiologjikë ka nevojë të forcohet për të siguruar mbikëqyrje të efektshme të sëmundjeve, identifikimin e përhapjes së sëmundjeve të njohur dhe të panjohura në masë në një zonë të caktuar, si edhe hetimin dhe mbështetjen e veprimeve kundër rezistencës antibiotike”.

Të Ngjajshme