Zejnulla VESELI
Shkup, 14 korrik – Sipas të gjitha gjasave Ligji për gjuhën shqipe do të mbetet për miratim pas zgjedhjeve lokale. Edhe pse fillimisht u njoftua se është çështje ditësh kur ai do të miratohet në seancë qeveritare dhe më pas të kalohet për miratim në Parlament, vetë agjenda e propozimeve të Qeverisë me procedurë të përshpejtuar vërteton se përparësi i është dhënë rebalancit të buxhetit, i cili nga fillimi i javës tjetër do të debatohet në Komisionin për financa dhe buxhet, shkruan gazeta KOHA. Rregullorja e Parlamentit parasheh që në momentin kur Komisioni për financim dhe buxhet fillon debati për rishikimin e buxhetit, atëherë nuk mund të mbahet seancë plenare për shkak se e njëjta duhet të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalin e tret televiziv. Kështu, debati në Komisionin amë për buxhet zgjatë plotë 10 ditë, kurse pas kësaj rishikimi i buxhetit i kthehet e Qeverisë për plotësim eventual me ndonjë amendament nga deputetët. Pas kësaj, parlamenti cakton seancë plenare ku në rend dite vendoset rishikimi i buxhetit dhe debati zgjatë plotë pesë ditë. Kështu, sipas rregullores, rishikimi i buxhetit për miratim duhet të përfundojë më 31 korrik, ndërsa më 1 gusht të miratohet rishikimi. Por edhe pas miratimit të rebalancit, ligji për gjuhën shqipe nuk ka gjasa praktike të futet në procedurë parlamentare, pasi nga 2 gushti deputetët shkojnë në pushim kolektiv.
Deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim jozyrtarisht për gazetën KOHA, konfirmojnë se Ligji për shqipen nuk ka gjasa të hyjë në procedurë parlamentare para miratimit të rebalancit të buxhetit, duke theksuar se i njëjti mbetet të miratohet pas zgjedhjeve lokale. “Nga e hëna në seancë plenare nuk mund të futet Ligji për gjuhën shqipe nëse Komisioni për buxhet do të nisë debatin për rishikimin e buxhetit. Si duket, zyrtarizmi i gjuhës mbetet pas zgjedhjeve lokale”, thonë deputetë nga grupi parlamentarë i BDI-së, me kusht anonimiteti.
Se miratimi i Ligjit për gjuhën shqipe duket i pamundshëm para zgjedhjeve lokale, këtë e mbështet edhe fakti se vetë debati mes LSDM-së dhe VMRO për shkarkimin e Zvërlevskit përdoret për ndërtim pozicionesh për zgjedhjet lokale të cilat duhet të mbahen në tetor. Emri i ri i prokurorit publik shtetëror sipas gjitha gjasave do të dihet një muaj para se të mbahet zgjedhjet lokale, ndërsa emërimi prokurorit të ri do të ndodhë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kështu thonë deputetët e LSDM-së, sipas të cilëve nëse deri të premten nuk përfundojnë diskutimet e deputetëve të paraqitur për diskutim rreth shkarkimit të prokurorit publik, Marko Zvrlevski, atëherë kjo procedurë do të zgjasë. Shkarkimi i prokurorit Zvërlevski, sipas deputetëve të LSDM-së, po pengohet nga deputetët e VMRO-së për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për diskutim nga shumica parlamentare si dhe për shkak të dhjetë grupeve parlamentare të formuara nga deputetët e koalicionit opozitar. Vetëm VMRO ka të paraqitur për diskutim 90 deputetë. “Për shkak numrit të madh të deputetëve të lajmëruar për diskutim, shkarkimi i Zvërlevski mund të pengohet dhe i njëjti të mos shkarkohet deri më 17 korrik kur Komisioni për financim dhe buxhet ka caktuar seancë për rishikimin e buxhetit. Kjo do të thotë se deri të hënën duhet të këtë përfunduar pika e pestë e seancës së gjatë dhe të shkarkohet Zvërlevski. Nëse deri të hënën nuk mbyllet pika e pestë, atëherë Zvërlevski mbetet prokuror deri në shtator nëse eventualisht nuk arrihet ndonjë marrëveshje që deputetët të heqin dorë nga diskutimet që të mund të shkohet në votim për shkarkimin e prokurorit”, thonë nga LSDM-ja. Mu për këtë, në seancën e gjashtë të ditës së enjte koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev kërkoi nga deputetët e partisë së tij të heqin dorë nga diskutimet dhe replikat sa i përket shkarkimit të Zvërlevski nëse të njëjtën gjë e bëjnë edhe deputetët e opozitës, dhe kështu të kalohet menjëherë në votim dhe të shkarkojnë Zvërlevskin. “Edhe pse ndoshta ne si deputetë të shumicës parlamentare me diskutime tona kemi se çfarë ti themi Zvërlevskit-se sa ai ka qenë profesional gjatë ushtrimit të detyrës, pasi sot e kësaj ditë për shkak të tij nëpër burgjet gjenden persona të pafajshëm kurse peronat të cilët me 27 prill hapën dyert dhe rrezikuan jetën e deputetëve dhe sot e kësaj dite janë të lirë, përkundër kësaj deputetët e shumicës parlamentare janë të gatshëm të heqin dorë nga diskutimet nëse një gjë të tillë e bëni edhe ju deputetët e VMRO-së dhe të mbyllim që sot pikën për shkarkimin e Zvërlevskit”, tha Tuntev. Ndërkaq, koordinatori i grupi të parë të deputetëve të VMRO-së, Ilija Dimovski, tha se deputetët e tyre do të hiqnin dorë nga diskutime nëse shumica parlamentare voton propozimin e tyre për ndryshimin e Ligjit për prokuror dhe prokurori të emërohet nga partia opozitare, edhe atë me dy të tretat e votave. “Nëse thoni se jeni të gatshëm të hiqni dorë nga diskutimet, atëherë votoni propozimin tonë që Prokuroi i ardhshëm të zgjidhet dhe shkarkohet me dy të tretat. Nëse jo, atëherë mos hiqni aspak dorë nga diskutimet sepse asnjë deputet i VMRO-së nuk do të heq dorë nga diskutimet”, tha deputeti Ilija Dimovski.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Bujar Osmani gjatë prezantimit të planit qeveritarë “369” tha se miratimi i Ligjit për shqipen është prioritet për Qeverinë dhe se i njëjti së shpejti do të miratohet në ekzekutiv dhe më pas do t’i dorëzohet Parlamentit për miratim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.