Shkup, 20 shkurt – Nuk kanë të ndalur punësimet e familjarëve të zyrtarëve qeveritar në institucionet që njihen për paga të majme dhe që nuk mund të punësohesh nëse nuk ke lidhje shumë të fortë. Dy kompanitë shtetërore energjetike: ELEM-i dhe MEPSO janë shndërruar së fundmi në “bazë” të familjarëve të zyrtarëve nga partitë e koalicionit qeveritar, shkruan gazeta KOHA.
Së fundmi, Nazmi Hani, djali i zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Tahir Hani, ka zënë vend në ELEM si referent në filialin “Treska”, ndërsa punësimin e ka konfirmuar vet Tahir Hani, por edhe nga vet ELEM-i. Kjo e fundit i ka gjetur vend pune edhe Nertila Useini Kaba, gruaja e kunatit të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Bekteshi javë më parë vend pune në MEPSO i kishte gjetur edhe të motrës, ndërsa sot përjashtoi mundësinë që i njëjti t’i kërkoj asaj “braktisjen” e punës, ashtu siç kërkoi ditë më parë kryeministri Zoran Zaev.
“Ashtu siç nuk kam pasur ndikim gjatë punësimit të saj, unë nuk do të duhet që të kem ndikim dhe të kërkoj nga motra ime që të tërhiqet ose jo. Motra ime është e rritur, e martuar dhe ka jetën e saj dhe duhet vetë të vendos për jetën e saj. Unë nuk kam asnjë mundësi të ndikoj për punësime në ELEM ose MEPSO. Nën kompetenca të Ministrisë së Ekonomisë janë vetëm Resurset Energjetike të Maqedonisë. MEPSO është nën kompetencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ndërkaq ELEM- nën kompetencë të Qeverisë”, u përgjigj Bekteshi në pyetjen nëse do t’i kërkojë motrës largim nga MEPSO.
Kompanitë shtetërore të energjetikës ELEM dhe MEPSO së fundmi kanë marrë kritikat të ashpra, pasi në këto dy institucione janë rehatuar tashmë familjarë edhe të zyrtarëve të LSDM-së, si dhe tetë deputetëve të VMRO-së që mbështetën ndryshimet kushtetuese… (më gjerësisht lexoni në numrin e nesërm të gazetës KOHA)