Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar për vizitën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë.
Molliqaj ka thënë se është e papranueshme ardhja e Vuçiqit në Kosovë si dhe ka shtuar se presioni nga Bashkimi Europian është duke tejkaluar rolin e ndërmjetësuesit, ngase sipas tij po bëhet e anshme.
Ky është postimi i plotë i tij:
Leja për vizitën e Vuçiqit në Kosovë është e papranueshme.
Asnjë zyrtar i Kosovës nuk u lejua asnjëherë që të vizitojë shqiptarët në Luginë të Preshevës. Pse duhet ta lejojmë ne Vuçiqin?!
BE me presionin ndaj Kosovës që të lejojë ardhjen e Vuçiqit, po e tejkalon rolin e vetë ndërmjetësues dhe po bëhet e anshme. Pse asnjëherë nuk iu bë Serbisë presion që të lejohen vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës?!
Vuçiqi nuk erdhi në Kosovë për t’i vizituar serbët. Ai erdhi për të dërguar mesazhe politike duke vizituar vende strategjike dhe resurse të Kosovës.