Partizani e nis vitin me një goditje në merkato. Të kuqtë kanë zyrtarizuar ditën e premte futbollistin më të ri në shërbim të Skënder Gegës. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese, Fatjon Jusufi, që vjen nga skuadra e Renovës në Maqedoni. Lajmi ishte prej disa ditësh në ajër, por është dashur fotografia zyrtare dhe sidomos komunikata e klubit për të bërë gjithçka de juro dhe jo vetëm de facto.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Fatjon Jusufin. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili gjatë këtij sezoni ishte pjesë e Renovës në kampionatin maqedonas, ka firmosur sot një kontratë 2 vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit me të kuqtë. 23-vjeçari është prezantuar në ambientet e klubit dhe menjëherë i është bashkuar skuadrës për të nisur përgatitjet në Antalia të Turqisë”.
Jusufi është një futbollist polivalent që mund të luajë në të dy krahët e sulmit, por edhe si “9 i fshehur”. Që nga viti 2013 aktivizohet me Renovën në kampionatin maqedonas të futbollit, ndërsa këtë sezon ka luajtur 14 ndeshje, duke qëndruar në stol vetëm 4 prej tyre. Te Partizani urojnë që të japë të njëjtin kontribut si Jasir Asani, që është kthyer në futbollist kyç për të kuqtë.