Lucien Favre te Borussia Dortmund deri në verën e vitit 2021. Edhe pse dështoi të fitonte titullin në sezonin e tij të parë me verdhezinjtë, drejtuesit e klubit nga Signal Iduna Park kanë konfirmuar besimin që kanë ndaj teknikut 61-vjeçar, duke i zgjatur edhe me një tjetër vit kontratën që i skadonte në 2020-ën.
Favre në sezonin e tij të parë në krye të Dortmundit arriti të kryesonte kampionatin me 9 pikë avantazh ndaj Bayernit por në fund u dorëzua me bavarezët që në javën e 34-t siguruan zyrtarisht titullin e 7-të radhazi. Megjithatë te Dortmundi kanë bindjen se me zviceranin në stol dhe me blerjet e reja si Nico Schulz, Thorgan Hazard dhe Julian Brandt mund ta thyejnë hegjemoninë e Bayernit.