Barcelonë, 15 shkurt – Barcelona zyrtarisht bëri të ditur se e vazhdon bashkëpunimin me trajnerin Ernesto Valverde deri në verën e vitit 2020. Në kontratë ka klauzolë për vazhdimin e saj për edhe një sezon deri në 30 qershor të vitit 2021. Nga klubi e publikuan lajmin sot në orët e hershme të mëngjesit, pasi arritën marrëveshje me trajnerin dhe e aktivizuan klauzolën e cila ishte shënuar në kontratën e re aktuale.
“Barcelona dhe trajneri i ekipit të parë arritën marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit për një sezon (2019/2020) me mundësi për vazhdimin për edhe një (2021)”, thuhet në kumtesën zyrtare të klubit.
Ernesto Valverde do të nënshkruajë kontratën e re, ndërsa konferenca për shtyp e trajnerit është paraparë për sot në orën 17.
Ernesto Valverde ka 96 ndeshje në krye të Barcelonës.
Në këtë sezon katalanasit jenë liderë në Primera division, do të luajnë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve kundër Olimpik Lion dhe gjithashtu janë në gjysmëfinalen për Kupën, ku luajnë kundër Real Madridit.