Zyrtare: Ardian Nuhiu trajner i ri i Shkëndijës

Shkup, 5 qershor –  Skuadra e Shkëndijës nga Tetova ka komunikuar emërimin e Ardian Nuhiut si shef i stafit teknik. Kryesia dhe tekniku 44 vjeçar kanë firmosur kontratë 2 vjeçare, me çka Nuhiu edhe zyrtarisht fillon punën si trajner i Shkëndijës.

“Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, është shprehur Ardian Nuhiu.

Nuhiu te Shkëndija vjen pasi drejtoi disa vite Dritën e Gjilanit me të cilët fitoi titullin kampion dhe Super Kupën, derisa kishte paraqitje pozitive edhe në Kupat e Evropës.

Advertisements

Stafi teknik i Shkëndijës do të kompletohet me fituesin Kupës së vendit tonë në sezonin e shkuar me Makedonija Gj.P., Muharrem Bajrami, që nënkupton se bankina kuqezi do të ketë teknikë të rinjë por me suksese e tituj të fituar në karrierat e tyre. Bajrami do të jetë asistent i parë i Nuhiut, ndërsa Andi Kulli do të jetë përgjegjës për video analizat e ndeshjeve. Ivan Jovanovski mbetet trajner kondicional, ndërsa Seladin Mustafi vazhdon si trajner i portierëve.

Të gjithë në KF Shkëndija urojnë mirëseardhje për gjithë anëtarët e stafit teknik, duke ju dëshiruar shumë suksese në periudhën që pason.