Zyrat për lidhje në Athinë dhe Shkup ngrihen në nivel ambasadash

Shkup, 31 maj – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republika Helene sot shkëmbyen nota, me të cilat është ngritur niveli i zyrave për lidhje në Athinë dhe Shkup në nivel të ambasadave,  njofton Koha.mk

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republika Helene sot shkëmbyen nota, me të cilat konform nenit 10 nga Marrëveshja përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara në Rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerje të validitetit të Marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995 dhe për vendosje të partneriteti strategjik mes palëve, është ngritur niveli i Zyrës për lidhje në Athinë në nivel të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zyra për çështje konsullare, ekonomike dhe tregtare në Selanik në nivel të Konsullatës së përgjithshme, ndërsa njëkohësisht, Zyra për lidhje në Shkup është ngritur në nivel të Ambasadës së Republikës Helene, Zyra për çështje konsullare, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme”, kumtoi MPJ-ja. (koha.mk)