Shkup, 6 dhjetor – Harxhimi i energjisë elektrike në Maqedoni ngec ose pak zvogëlohet, jo për shkak të ngadalësimit të tërë ekonomisë, por për shkak të aktivitetit të ngadalësuar të kombinateve të mëdha, tha sot kryetari i Asociacionit Energjetik të Maqedonisë (AEM) Koço Angjushev. Para seancës në Odën ekonomike në të cilën AEM e shqyrton Propozim-bilancin energjetik për vitin 2017, Angjushev deklaroi se, edhe tërë industria tjetër të punojë, nëse Feni dhe Jugohrom ndalen me punë ose punojnë me tempo të zvogëluar, ajo dukshëm do të reflektohet ndaj bilancit të tërësishëm si zvogëlim i shpenzimit të energjisë elektrike. Nëse harxhimi mbetet në nivel të këtij viti ose zvogëlohet për dy për qind, atëherë importi, vlerësoi ai, do të jetë rreth 30 për qind, ndërsa prodhimtaria vendore 70 për qind. Nëse, megjithatë, kombinatet metalurgjike punojnë, prodhimtaria vendore do të mbetet në nivel të njëjtë, ndërsa importi dukshëm do të rritet, deri në 40 për qind. Siç shtoi, prodhimtaria e termoelektranave REK Manastir dhe REK Oslomej shënon zvogëlim të vazhdueshëm viteve të fundit, hidroelektranat prodhojnë aq sa lejon hidrologjia, ndërsa sipas Propozim-bilancit energjetik, elektrana e gazit Te-To do të prodhojë dukshëm më shumë, por ajo megjithatë do të varet nga kushtet e tregut, përkatësisht nga dallimi në çmim i energjisë dhe gazit. Vlerësimet thonë, potencon, se çmimi i energjisë elektrike në tregun botëror deri për vitin e ri pritet të jetë stabil dhe pothuajse në nivel të njëjtë sikur në vitin 2016. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Angjushev tha se amvisëritë harxhojnë njëjtë, pa dallim më të madh dhe në këtë segment ndryshimet nuk varen nga proceset globale, por nga ajo se sa dimri është i ftohtë ose i ngrohtë. Më mirë do të ishte, sugjeroi, gazi të sillet direkt deri te amvisëritë sepse ashtu edhe do të shfrytëzohet maksimalisht. deri në 96 për qind, në vend se së pari të transformohet në energjinë elektrike (rast në të cilin shfrytëzimi është maksimum 60 për qind).