Omer XHAFERI
Shkup, 26 janar – Kaosi me transportin publik në Shkup që është duke zgjatur prej më tepër se tre javë, e që në masë të madhe ndikon në pritjet e gjata të qytetarëve, është si pasojë e reduktimit edhe të autobusëve privat dhe jo vetëm të atyre publik, shkruan gazeta KOHA. Këtë lajm të enjten e bënë të ditur një pjesë e pronarëve të linjave private, të cilët në takimin me koordinatorin e grupit të këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, nga radhët e PDSH-së, Idriz Orana, thanë se nga fillimi i vitit e deri më sot ata veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me humbje të mëdha. Të organizuar në mënyrë private, përfaqësuesi i këtyre pronarëve, Isen Halili, tha se zbatimi i sistemit të ri të pagesës, kufizimi i kilometrave sa mund të vozisin ata dhe një varg anomalish tjera që burojnë nga ky sistem, bëhet me një qëllim që kjo kategori të eliminohet nga tregu i transportit publik në Shkup.
Ankohen autobusët privat
“Para fillimit të këtij projekti, parku i autobusëve më numër 19, bashkërisht me ato publik është përbërë prej 75 autobusësh. Nga 1 janari i këtij viti pjesa publike e shërbimit publik është larguar dhe kemi mbetur gjithsej 48 autobusë me numër 19, prej të cilëve vetëm 26 autobusëve u është dhënë leja që të funksionojnë në tre ndërrime, përderisa 22 autobusët tjerë qëndrojnë në gatishmëri në rast nevojë që të aktivizohen”, sqaroi Halili, në cilësinë e përfaqësuesit të pronare të revoltuar. Ndryshimet e fundit që u iniciuan nga Ndërmarrja Publike “Transporti Publik Shkup” (NP-TPSH), parashohin që një autobusë privat brenda një ndërrimi të vozisë 72 kilometra, për të cilët do të pranon një kompensim prej 54 denarë për kilometër, respektivisht shuma e plota e një ndërrimi të autobusit me numër 19, është 3800 denarë. Sipas pronarëve të autobusëve, nga praktika e deritanishme që kur ka hyrë në fuqi ky vendim, ata nuk kanë mundësi që t’i mbulojnë as harxhimet e rrogave të punëtorëve dhe kontributet ndaj shteti. Mes tjerash, ata shtuan se normat e këtyre ndryshimeve parashohin që një autobusë privat brenda vitit të vozisë rreth 5.5 milionë kilometra, ndërsa vitin e kaluar një autobusë i tillë i ka realizuar deri në 9 milionë kilometra. Në bazë të këtyre vërejtjeve, raporton KOHA, ata thanë se plotësisht janë të vetëdijshëm se veprimtaria të cilët ato e ushtrojnë është publike, me çka pasojat më të mëdha i bartin qytetarët e rëndomtë, të cilët përnjëherë u ballafaquan me restrikcione në qarkullimin e linjave publike.
Para këshilltarit të PDSH-së, Idriz Oranës, këta pronarë u ankuan se duhet të ndryshohet edhe mënyrë e pagesës, gjegjësisht medoemos duhet të ekzistojnë bileta për një udhëtim, masë kjo që nuk është e paraparë me sistemin e ri të pagesës.
“Shoferët tanë gjatë këtyre javëve janë përballur me kërcënime dhe ofendime të llojllojshme. Për vonesën e autobusëve, duke mos i pasur të qarta rrethanat, na akuzojnë dhe na ofendojnë neve”, tha Musa Kurtishi, pronar i linjave të autobusëve privat në Shkup. Pasi dëgjimit të halleve dhe derteve të kësaj kategorie të qytetarëve, këshilltari Orana, ju premtoi se do të angazhohet në zgjidhjen e problemeve të tyre, komfor kornizave dhe mundësive që ia ofron posti i këshilltarit në Këshillit e Qytetit të Shkupit. Ndryshe, debati për linjat e kontestuar dhe linjat e përgjithshme privat, të enjten është bartur edhe në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit, me çka u soll vendimi që deri me 10 shkurt të muajit të ardhshëm kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, të obligohet që t’i shqyrton të gjitha ankesat, vërejtjet dhe propozimet e këshilltarëve shqiptarë, të kryesuar nga Qemal Musliu dhe Idriz Orana, përfshi edhe reagimet jo të shkruara të këshilltarëve rom dhe turq në këshillin e qytetit.
“Slloboda Prevoz” kërcënon pronarët e autobusëve
Pas paralajmërimeve se një pjesë pronarëve të autobusëve privat do të takohen me koordinatorin e PDSH-së, Idriz Oranën, drejtuesit e Shoqatës “Slloboda Prevoz”, nën të cilët funksionojnë një pjesë bukur e mirë e autobusëve privat, i kanë kërcënuar pronarët e autobusëve se në rast se marrin pjesë në këtë takim që u zhvilluar brenda objektit të Qytetit të Shkupit, të njëjtit do të sanksionohen. Këtë informacion para gazetarëve e kanë shpërndarë pronarët që morën pjesën në takim me këshilltarin Orana. Për këto veprime të ulëta të udhëheqësve të kësaj shoqata, Idriz Orana tha se askush nuk guxon të kërcënon dhe të ndalon takime me përfaqësues të cilat janë të zgjedhur nga populli. Në mesin e pronarëve që morën pjesë në këtë takim, ishin edhe tre pronarë maqedonas të linjave privatë të autobusëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.