Shkup, 16 janar – Indikatori i besimit në tregtinë me pakicë në tremujorin e katërt të vitit 2016 është zvogëluar për 0,2 për qind pikë në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa është rritur për 1,6 për qind pikë në krahasim me tremujorin e njëjtë nga viti 2015, kanë vlerësuar udhëheqësit e subjekteve afariste. Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, gjendja ekonomike e subjekteve afariste në tremujorin e katërt nga viti 2016 është më e volitshme në krahasim me tremujorin paraprak edhe në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2015. Pritet të jetë më pak i volitshëm në dy tremujoret e ardhshme. Sasia e rezervave, megjithatë, është rritur në krahasim me tremujorin paraprak. Gjendja financiare në tremujorin e katërt të vitit 2016 është pothuajse në nivel të barabartë si në tremujorin e tretë, vlerësimi për dërgesat e pritura për periudhën e ardhshme është se do të rriten, ndërsa pritjet për numrin e të punësuarve janë se do të zvogëlohet. Çmimet e shitjes në tremujorin e katërt të vitit 2016, minimalisht janë rritur në krahasim me tremujorin e tretë, ndërsa pritjet për çmimet e shitjes në tre muajt e ardhshëm janë se do të rriten. Ndikim më të madh të kufizimit të gjendjes ekonomike te subjektet afariste gjatë tremujorit të katërt nga viti 2016 kanë pasur: konkurrenca në rritje me 22 për qind, konsumi i dobët nga blerësit me 20,5 për qind dhe oferta e rritur në treg me 19 për qind.