Shkup, 7 qershor – Njëqind e njëzet e pesë raste të personave të sapoinfektuar me Kovid-19 ishin regjistruar dje, prejse një ditë më parë në vend kishte raste rekorde prej 180 të sëmurë nga fillimi i epidemisë. Dy të vdekur dhe tetë pacientë të shëruar është bilanci i djeshëm , ndërsa sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë 1.085 testime, nga të cilat 113 janë nga skriningu në kopshtet në Shtip dhe Koçan, me ç’rast asnjëri nga ato teste nuk ka qenë pozitiv.
Numri më i madh i të sapodiagnostifikuarve sërish janë në Shkup 46, pas së cilës vijojnë Kumanova me 19, Shtipi me 17, Tetova me 16, Struga me 7, Gostivari me 6, Velesi me 3, Negotina 2, dhe nga një rast në Prilep, Manastir, Koçan dhe Dellçevë.
Dy pacientët e vdekur janë nga Prilepi dhe Strumica. Pacienti nga Prilepi është i moshës 73 vjeçare dhe ka qenë i hospitalizuar në SPQ “8 Shtatori” nga 19 maji, ndërsa pacientja nga Strumica është e moshës 67 vjeçare dhe ka qenë e hospitalizuar në Klinikën për Neurologji nga 18 maji. Tetë pacientët e shëruar janë katër nga Velesi, dy nga Prilepi dhe nga një pacient prej Tetove dhe Shën Nikollë.
Në Klinikën Infektive në 24 orët e fundit janë pranuar 7 pacientë të rinj, ndërsa gjithsej të hospitalizuar janë 58 pacientë. Në oksigjen janë 27 pacientë, nuk ka pacientë në ventilim mekanik. Deri në mëngjes në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 12 pacientë të rinj, ndërsa numri i tërësishëm i pacientëve të hospitalizuar është 38. Në aparat respirator janë 7, ndërsa me pasqyrë më të rëndë klinike janë ende 8 pacientë.
Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 11 pacientë, ndërsa në shërim shtëpiak përmes spitalit ndiqen 2 pacientë. Në spitalin në Shtip janë hospitalizuar 21 pacientë. Në repartin infektiv në Ohër, Veles, Kumanovë dhe Prilep janë hospitalizuar 31 pacientë – pozitiv dhe të dyshimtë me Kovid-19.
Nga fillimi i epidemisë shifra e tërësishme e të diagnostifikuarve në vend arrin 2.915, shifra e pacientëve të shëruar është 1640, e të vdekurve 151, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend arrin 1.124.
Numri më i madh i rasteve aktive edhe më tutje është në Shkup është – 595, në vend të dytë është Kumanova me 129, ndërsa shifër më të madhe ka edhe në Shtip-123 dhe Tetovë 115.
Në Shtip ku numri i të sëmurëve u rrit për shkak të mosrespektimit të masave nga ana e disa fabrikave gjatë bartjes së të punësuarve të tyre edhe më tutje në fuqi është ndalesa për punë në fabrikat e tekstilit dhe të lëkurës. Testimi masiv i punëtorëve dje u realizua në një, ndërsa sot përfundon në të fundit e cila ishte mbyllur. Në testimin e targetuar janë përfshirë rreth 800 punëtorë nga shtatë punëtori të tekstilit.
Drejtoresha e Qendrës për Shëndet publik, Marija Dimitrova thotë se mbi 70 për qind e rasteve aktive janë punëtoritë e tekstilit nga shtatë punëtori të tekstilit, më së shumti ka në të parën e cila ishte mbyllur, atje prej 100 punëtorëve mbi 50 janë të infektuar me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në konferencën për shtyp, të cilën e mbajti, në ditën kur në vend e patëm rekordin e të sëmurëve në nivel ditor, theksoi se bëhet fjalë për klasterë të njohur, duke potencuar se 90 për qind e të sapoinfektuarve janë nga 15 familje. Ai theksoi se shumica e rasteve janë asimptomatikë.
“Pa dyshim është se kemi një valë të dytë e cila është rezultat i mosrespektimit të masave për tubime dhe grupime që e dëshmoi edhe kontrolli detajor në pyetësorët detajor epidemiologjik. Por numri i rritur i të sëmurëve është pritur për shkak të mënyrës së testimit që e zbatuam ditëve të fundit”, theksoi Filipçe.
Theksoi se pritjet janë që kjo valë nuk do të zgjasë shumë, por megjithatë, siç tha, maksimalisht janë të kujdesshëm.
Filipçe dje u bëri apel mediave të mos publikojnë informata të paverifikuara për numrin e të sëmurëve.
“Këto ditë një numër i madh i mediave që herët në mëngjes publikojnë informacione dhe pothuajse gjithmonë të pasakta për numrin e të sëmurëve të rinj. Nga fillimi i krizës personalisht unë dhe i gjithë ekipi im për marrëdhënie me opinionin jemi partneri juaj. Tashmë 100 ditë në kohë, saktë dhe në mënyrë transparente e njoftojmë opinionin. I bëjmë të ditura të gjitha detajet për të sëmurët e rinj me Kovid-19, gjithnjë me qëllim që mediat të kenë informacion të saktë. Edhe një herë u bëj thirrje mediave të ndalojnë të raportojnë informacione spekulative dhe të paverifikuara rreth numrit të të sëmurëve me Kovid-19. I lus ta ruajnë rolin dhe detyrën e tyre të cilën e kanë ndaj opinionit për raportim në kohë, saktë dhe të verifikuar”, ka shkruar Filipçe në Fejsbuk.