Zvicra kërkon 500 mijë punëtorë, kryesisht në “profesionet e grave”

Zvicra së shpejti do të ketë mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Në 10 deri 20 vjetët e ardhshme ajo do të ketë nevojë për 300 deri në 500 mijë punëtorë të rinj, që nuk ka mundësi të rekrutohen në tregun vendor të punës. Këtë konstatim e ka arritur një studim i realizuar nga banka më e madhe e Zvicrës, UBS, shkruan Agjencia Zvicerane e Lajmeve, SDA. Studimi e shpjegon kështu këtë mungesë: në 10 deri 20 vjetët e ardhshme gjeneratat e lindura nga periudha “Baby boom” (vitet me natalitet më të lartë, 1945-1964), do të pensionohen, transmeton albinfo.ch. Pasi që gjatë kësaj kohe një numër dukshëm më i vogël i të rinjve do të mund të rekrutohet për punë, do të ndodhë një reduktim i fuqisë punëtore.

Ky boshllëk i krijuar nuk mund të plotësohet thjesht përmes migracionit, sepse kjo do të kërkonte që për çdo vit të sillen në tregun e këtushëm të punës nga 100 mijë punëtorë nga bota e jashtme. Diçka e tillë nuk mund, veç tjerash, të bëhet për shkak të rezistencës politike në vend. Për këtë arsye, sipas studimit, mosha e pensionimit duhet të bëhet më fleksibile dhe që të shfrytëzohet më mirë puna me orar të pjesshëm e grave, përcjell albinfo.ch. Deri tash, nevoja për fuqi plotësuese shtesë është përmbushur para së gjithash përmes migracionit. Shtimi i nevojës për punëtorë të rinj është llogaritur mbi premisën e rritjes vjetore të numrit të të punësuarve në vend. Kjo rritje, që nga viti 1960 dhe deri tash, ka qenë 1%. Nga ana tjetër, ekonomia gjatë 15 vjetëve të fundit ka pasur nevojë për një rritje vjetore prej 1.3% të numrit të të punësuarve. Kjo e fundit sjell shifrën prej rreth 500 mijë vendeve të punës që pas 20 vjetësh do të mbeteshin të paplotësuara.

Por, nga mungesa në fjalë nuk preken njësoj të gjithë sektorët e punës. Më të rrezikuarat në këtë drejtim janë fusha e shëndetësisë dhe ajo e përkujdesjes, transmeton albinfo.ch. Nga ana tjetër, në industri do të ketë stagnim të numrit të vendeve të reja të punës, shkruan UBS. Sipas studimit, mungesë më të madhe të fuqisë punëtore pritet të ketë në degët të cilat sot i mbulojnë në masë më të madhe gratë. Kjo ka pasojat e saj në kërkimin e punës: gratë gjejnë më lehtë një vend pune se sa burrat. Për këtë arsye, sipas UBS, burrat në të ardhmen duhet të reflektojnë: ata do të detyrohen të orientohen më shumë në të ashtuquajturat “profesione të grave”.