Zvicra sot zbuloi Strategjinë e re të bashkëpunimit për Maqedoninë, për periudhën 2017 – 2020. Që nga viti 1992, Zvicra ka ofruar mbështetje për tranzicionin politik, social dhe ekonomik të Maqedonisë. Strategjia e re ka për qëllim të vazhdojë këtë mbështetje edhe gjatë katër viteve të ardhshme me anë të një qasjeje pragmatike që fokusohet kryesisht në arritjen e rezultateve.
“Më vjen mirë që Zvicra i ka ofruar ndihmë Maqedonisë gjatë 25 viteve të fundit. Deri më tani janë arritur shumë rezultate, mirëpo ne dëshirojmë të vazhdojmë ndihmën për Maqedoninë që të ndërtojë institucione llogaridhënëse, të krijojë vende pune më përfshirëse, të përmirësojë cilësinë e infrastrukturës publike dhe të mbrojë mjedisin”, theksoi Ambasadori i Zvicrës, Sybille Suter.
Ajo shtoi se Zvicra sot renditet në mesin e partnerëve më të mëdhenj bilateralë dhe se Zvicra është e angazhuar të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve me Maqedoninë, duke vazhduar aktivitetet e veta diplomatike dhe zhvillimore në vend.
Strategjia e re Zvicerane e Bashkëpunimit 2017 – 2020 parashikon dedikim financiar prej 69 milionë eurosh. Synimi i saj i përgjithshëm është të ndihmojë Maqedoninë në reformat për plotësimin e standardeve dhe vlerave evropiane dhe ndërtimin e një demokracie përfshirëse në aspektin social dhe ndërtimin e ekonomisë së tregut, duke siguruar njëkohësisht qeverisje të shëndoshë të burimeve natyrore. Tre prioritetet e portofolit zviceran janë qeverisja demokratike në nivelin qendror dhe lokal, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe punësimi për të rinjtë dhe grupet e tjera të përjashtuara sociale, si dhe qeverisja e shëndoshë e burimeve natyrore dhe qasja e barabartë në shërbimet publike cilësore.
Rezultatet e strategjisë së re pritet të përfshijnë mes tjerash transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të organeve komunale, krijimin e 4.400 vendeve të reja të punës, si dhe qasje në menaxhimin e burimeve të ujit për 115.000 persona të tjerë.
“Ajo që do të jetë me rëndësi kryesore për të gjitha përpjekjet tona është trajtimi i nevojave të grupeve më të cenueshme qytetare në Maqedoni, pasi një shoqëri përparimtare nuk mund të jetë e tillë nëse nuk është shoqëri përfshirëse”, theksoi ambasadorja Suter.