Frika se mos futbollistët shqiptarë largohen pas asaj që ndodhi me Behramin e Xhemailin që janë lënë përfundimisht jashtë listave të përfaqësueses zvicerane, ka shtyrë drejtuesit e kësaj kombëtareje që të veprojnë me shpejtësi për të “blinduar” emra si Xhaka e Shaqiri. Këta të fundit, ndonëse janë përballuar me shumë trysni pas festimit me shqiponjë ndaj Serbisë, janë graduar kapitenë të parë dhe të dytë të ekipit. Normalisht, kapiteni i parë është Stefan Lihtshtajner, por kjo është vetëm për t’u mbyllur gojën mediave, pasi mbrojtësi ka tashmë një rol dytësor në ekipi dhe këtë vit vështirë se grumbullohet më, ashtu si në të ardhmen. Ndaj kapitenin i parë për këtë vit do të jetë Granit Xhaka, i cili nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të mbajtur shiritin, aq sa iu bë i pari i shqiptarëve te Zvicra që këndonte me zell himnin. Por surprizë është fakti se tashmë si zëvendësues i tij do të jetë një tjetër shqiptar.
Sipas mediave zvicerane, nëse Xhaka nuk do të jetë në fushë, shiriti do t’i kalojë Xherdan Shaqirit, që tregon se sa rëndësi kanë tashmë për këtë përfaqësuese futbollistët shqiptarë. Vendimi është marrë që pas Botërorit, kur u pa se kur Xhaka e Shaqiri ishin të motivuar siç duhej, atëherë për kundërshtarët ishte e vështirë të rivalizonin me ta.