Tetovë, 21 shtator – Poeti zviceran Beat Brechbuhl është laureat i çmimit Naim Frashëri, çmim ky që ndahet në kuadër të festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryetarit të jurisë të këtij festivali, Imer Çiraku, veprat e këtij shkrimtari gëzojnë prej kohësh njohje të gjerë mes lexuesve dhe kanë marrë vlerësime të shumta nga kritika letrare.
“Vlerësohet sidomos poezia e tij, të cilën ai ka nisur ta krijojë dhe ta botojë që në moshën 16-vjeçare. Autori vazhdon t’i qëndrojë ende besnik këtij zhanri, duke përcjellë në vargjet poetike motivet e larmishme dhe me një ekspresivitet dhe ndjeshmëri të thekuar ideoemocionale”, tha për KOHA, Çiraku.
Brechbuhl lindi në vitin 1939, dhe është fitues i shumë çmimeve letrare, ndërsa është anëtar i Panqendrës së Zvicrës dhe anëtar i Shoqatës së Autorëve të Zvicrës. Në ndërkohë, drejtori i festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, tha se festivali mbahet nga 18 deri më 22 tetor në Tetovë, ndërsa një javë para festivalit do të shpalosen detajet. (koha.mk)