Zviceranët, pavarësisht simpatisë ndaj armëve votojnë për ashpërsimin e ligjit

Zviceranët ua kanë mësyrë kutive të votimit të dielën, për të votuar nëse do të ashpërsohet ligji ndaj armëve në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian.

Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por është pjesë e Marrëveshjes së Schengenit për kufij të hapur. Pas sulmeve të Parisit në vitin 2015, në të cilat u vranë 130 persona, BE-ja bëri ligje të reja për shtetet anëtare të kësaj marrëveshjeje, lidhur me armët automatike dhe gjysmë-automatike.

BE-ja shpreson se me ligjet e reja do ta ndihmojë policinë në shtetet e Schengenit dhe do ta bëjë më të vështirë blerjen e armëve gjysmë-automatike dhe automatike, transmeton KTV. Këto shtete tani punojnë së bashku dhe, në baza ditore, tregojnë prej nga e kanë prejardhjen armët e përdorura gjatë krimeve.

Por, propozimet e BE-së nuk janë pëlqyer nga zviceranët, të cilët njihen për traditën e armëmbajtjes. Shumë zviceranë, pas përfundimit të shërbimit ushtarak, kanë të drejtë t’i mbajnë armët.

Pothuajse në secilin qytet dhe fshat ka poligone për armë dhe gjuajtja me to mbetet një prej sporteve më të popullarizuara në Zvicër. Armët mund të shiten privatisht, pa informuar autoritetet, por u duhet një faturë e shitjes së tyre.

Zviceranët thonë se ligjet e reja janë shenjë mosbesimi ndaj tyre, pasi ata dinë si t’i përdorin armët, por kështu nuk tregojnë shifrat e vetëvrasjeve me armë në këtë shtet.

Shkalla e vetëvrasjeve me armë në Zvicër është 2.74 në 100 mijë banorë, e dyta më e larta në Evropë. Në vitin 2018 u vetëvranë 13 persona, por statistikat e Qeverisë tregojnë se në vitin 2016, 212 persona kryen vetëvrasje me armë.

Nuk ka statistika shtetërore rreth numrit të armëve në Zvicër, por në bazë të një hulumtimi që ka kryer organizata Small Arms Survey, në vitin 2007, zviceranët posedonin 2.3 milionë armë, me mesatare prej 27.6 armë në 100 banorë.