Zvicër, Gjermani… për nuse dhe dhëndurë me letra

230

Shqiptarët figurojnë me numrin më të madh në evidencat zyrtare të Statistikave sa i takon martesave me letra me shtetas të huaj. Komuna e Kumanovës me 86 raste, Gostivarit me 84 dhe Tetova me 83 raste radhiten të parat sa i takon celebrimeve jashtë vendit, ku në numër më të madh janë martesat e bëra me shtetas zviceranë (21), gjermanë, austriakë, italianë… Tendencat për “martesat me fqinjë” janë në numër më të madh edhe me Kosovën – 75 raste, më pak me Shqipërinë – 17, si edhe me vendet e ish Jugosllavisë si Slloveni, Kroaci, apo Serbi

Evis HALILI

Shkup, 22 tetor – Kurorëzimet jashtë vendit kanë qenë në numër të madh edhe vitin e kaluar. Nëse gjatë një viti në total numërohen mbi 13 mijë martesa, rreth 1100 regjistrohen me shtetas të huaj. Gjermania është shteti ku kurorëzohen rreth një e katërta e qytetarëve nga Maqedonia, e pasuar nga Zvicra, Italia e Austria. Tendencat për “martesat me fqinjë” janë në numër më të madh me Kosovën (75), më pak me Shqipërinë (17 raste), si edhe me vendet e ish Jugosllavisë si Slloveni, Kroaci (40), apo Serbi (110). Shqiptarët figurojnë me numrin më të madh në evidencat zyrtare të Statistikave sa i takon martesave me letra me shtetas të huaj, shkruan gazeta KOHA. Komuna e Kumanovës (86 raste), Gostivarit (84 raste) dhe ajo e Tetovës (83 raste) radhiten të parat sa i takon celebrimeve jashtë vendit ku në numër më të madh janë martesat e bëra me shtetas zviceranë (21), gjermanë, austriakë, italianë… Trendi është i njëjtë edhe në komuna të tjera shqiptare, si Struga, Zhelina, Likova, Saraji…

Numri në rritje i martesave me shtetas të huaj është një trend në rritje. Sipas zyrave të gjendjes civile, shifrat janë më të larta po të kihet parasysh se një pjesë largohen dhe të dhënat personale i ndryshojnë pas disa vitesh, kur gjejnë bashkëshorten/bashkëshortin, por edhe kur bëhen me fëmijë. Po ashtu, ky trend po shoqërohet me zhvendosjet e familjeve për një jetë më të mirë dhe reduktimin në maksimum të numrit të nxënësve shqiptarë, sidomos në komuna si Gostivari. Po ashtu, në këto komuna në rritje janë edhe shifrat e divorceve.

Supozohet që një pjesë e tyre të jenë fiktive, të bëra enkas për të pasur mundësi kurorëzimi me një shtetas të huaj. Komunat e banuara kryesisht me shqiptarë shënojnë edhe numrin më të madh të kurorave të vëna gjatë një viti. Sa i takon rajoneve, ai i Pollogut renditet i dyti pas Rajonit të Shkupit me numrin më të lartë të kurorëzimeve – gjithsej 2723 ). Fazat kritike që ka kapur prej më shumë se një dekade komunat maqedonase, po “reflektojnë” edhe tek pjesa shqiptare. Numri i lindjeve, martesave është në ulje, edhe pse jo në të njëjtat ritme si tek ato maqedonase, ndërsa numri i vdekjeve dhe divorceve po pëson rritje graduale.

Shqiptarët nuk martohen si më parë, por edhe nuk lindin më shumë fëmijë, duke kontribuuar më pak në zbutjen e shifrave në ulje të shtimit natyror të popullsisë, i cili është në nivele shumë të ulëta në komuna dhe zona të banuara me maqedonas. Sipas të dhënave zyrtare të Statistikave, gjatë pesë viteve të fundit, numri i divorceve ka një reduktim shumë të vogël, ndërsa numri i martesave është në rënie. Shpëtimi vjen nga komunat shqiptare, si Tetova, e cila renditet e para për shifrat e larta të martesave që rriten vazhdimisht, apo edhe ajo e Studeniçanit. Dibra ruan një numër të vogël martesash, ndërsa veçohet nga komunat e tjera me prelevancën më të lartë të divorceve, në një qytet ku ndodhin rreth 150 martesa në vit.

TOTALI 13.814 MARTESA, 1083 MARTESA JASHTË VENDIT

Kumanova 703 martesa, 86 jashtë vendit

Likova 278 martesa, 42 jashtë vendit

Gostivari 678 martesa, 84 jashtë vendit

Tetovë 76183 martesa, 83 jashtë vendit

Struga 539 martesa, 37 jashtë vendit

Dibra 146 martesa, 13 jashtë vendit

Terca 211 martesa, 24 jashtë vendit

NË GJERMANI, 227 MARTESA ME BASHKËSHORT SHQIPTAR

– Në Zvicër 175 martesa

– Vende të tjera evropiane 145

– Kroaci 40 martesa

– Serbi 110 martesa

– Kosovë 75 martesa

(koha.mk)