Zv. ministri Musa merr 1000 euro për operacionin e prostatës, 100 euro për synetllëk

Shkup, 14 tetor – Emisioni “Fiks Fare” në Top Channel sonte ka publikuar një investigim ku zv. ministri i Shëndetësisë në Maqedonisë së Veriut, në spital shtetëror kryen ndërhyrje kirurgjikale kundrejt ryshfetit. Asim Musa, mjek urolog, me detyrë zv. ministër Shëndetësie kryen ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Strugë, kundrejt 1000 eurove. Musa ka qenë prej tre vitesh drejtor i dy spitaleve më të rëndësishëm në Strugë. Dy vite në Spitalin e Përgjithshëm dhe një vit në Spitalin e Nefrologjisë.

Fillimisht bashkëpunëtorët e Fiksit shkëmbyen mesazhe për të lënë orarin dhe vendin e takimit, pasi zv.ministri Musa  gjatë javës qëndron në kabinetin qeveritar në Shkup.

Në video ekipi i Fiks Fare arrin të takohet me zv. ministrin, i cili pohon se duhen bërë analizat për të parë nëse pacienti kishte nevojë për ndërhyrje. Në biseda ai tregon se operacionin do ta kryente në spital dhe se kushtonte 1000 euro, dhe ky çmim jepej nga vet zv. ministri Musa.

Nëse pacienti do të ishte shfaqur në rrethana të tjera do të duhej të paguante më shumë për këtë operacion diku tek 1100-1200 euro. Por Zv. Ministri i siguroi bashkëpunëtorët e Fiksit se do ua hiqte barrën prej 150 eurosh që kushtonin analizat , duke ia faturuar gjithçka brenda paketës prej 1000 euro dhe këtë do e bënte duke shkruar se pacienti edhe analizat i kishte kryer në po të njëjtën ditë që do të kryente edhe operacionin.

Madje sipas tij analizat duhet të kryheshin po aty, pasi ishin më të sakta se në Shqipëri. Musa pohon në bisedë e sipër se ai mundëson edhe ndërhyrje synetlliku kundrejt pagesës prej 100 euro. Edhe pse takimi midis palëve ishte pak i vonuar në kohë zv. ministri e arsyeton se kjo ka ndodhur për shkak të angazhimeve të tija në kabinetin qeveritar. Në përfundim të bisedës bashkëpunëtorët iu drejtuan zv. ministrit nëse mund ta kryenin pagesën që në atë moment për paketën me “skonto” që ai u kishte paraqitur në total 1000 euro, por Z.Musa u kërkoi që pagesa të kryhej ditën e ndërhyrjes.

Pyetjes së bashkëpunëtorëve të Fiksit se a duhet të linin kapar për atë çka kishin rënë dakord zv. ministri Musa u thotë se mjafton një 50 eurosh për qejf, por që këto pare nuk përfshiheshin në çmimin e operacionit.