Zubizarreta zbulon episodin, Messi tallej me Tata Martinon

15

Sa peshon prania një kampioni si Leo Messi në dhomat e zhveshjes? Shumë, shumë, deri në pikën që mjafton një fjalë e tij për të përcaktuar fatin e trajnerit apo të shokëve të skuadrës. Shpesh është thënë se “Pleshti” me veton e tij është në gjendje të përcaktojë se kush do të luajë me të apo kush duhet ta drejtojë ekipin. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, vështirë se diçka e tillë do të ndodhë në të ardhmen, por në të kaluarën fjala e Leos ka pasur ndikim absolut te trajnerët që kanë drejtuar në “Camp Nou”.

Konfirmimi erdhi nga bashkëbisedimi i dy personazheve, Vicente Del Bosque dhe Andoni Zubizarreta, për “El Pais”. Ata nënvizojnë se si 6 herë fituesi i “Topit të Artë” ishte “thikë me dy presa” për çdo teknik.

Del Bosque, i cili i njeh lojtarët në mënyrë të shkëlqyer, shpjegon:

“Është e vështirë për një trajner të menaxhojë një lojtar të tillë. Dhe nëse lojtarët e shkëlqyeshëm fillojnë të mos merren vesh me ata në stol, lindin probleme, të cilat më pas bëhen të bezdisshme për trajnerët ”.

Ndërkohë, Zubizarreta tregon një situatë të disa viteve më parë, kur ai ishte ende drejtor sportiv i Barcelonës. Në vitin 2013, pas lamtumirës dramatike të Tito Vilanovas (u diagnostikua me kancer dhe më pas humbi jetën), klubi zgjodhi Gerardo “Tata” Martinon trajner. Argjentinasi, megjithatë, ndihej i dobët para bashkatdhetarit të tij Messi:

“Gjithçka varet nga bujaria e lojtarit ndaj ekipit të tij dhe trajnerit të tij. Tata Martino, kur ishte te Barça, i thoshte Messit: Unë e di që, nëse e telefonon presidentin, ai do të më flakë jashtë (shkarkojë), por, dreqi e mori, nuk ke pse të ma kujtosh çdo ditë. Unë tashmë di këtë”.

Në fakt, aventura e Tata Martinos në “Camp Nou” zgjati vetëm një sezon. Ndoshta Messi nuk e bën formacionin, por, që vendos për trajnerët, ka shumë fjalë.

Comments are closed.