Zoom përpiqet të zgjidhë problemet e sigurisë

17

Kompania Zoom Video Communications tha të mërkurën se i ka shtuar mbi 100 karakteristika të reja platformës së saj të videokonferencave, si pjesë e planit 90-ditor të shpallur prej saj për të zgjidhur problemet e sigurisë dhe privacisë.

Zoom shënoi një rritje të madhe në numrin e përdoruesve, pasi pandemia COVID-19 detyroi miliona njerëz kudo në botë të punonin nga shtëpia dhe të komunikonin me platforma të tilla video.

Por kompania u bë objekt kritikash për çështjet e sigurisë dhe privatësisë. Kjo bëri që Zoom t’i bënte përmirësime të njëpasnjëshme platformës së saj, në bazë të një plani 90-ditor. Kompania mori si këshilltarë disa ekspertë të sigurisë, përfshirë ish-shefin e sigurisë të Facebookut, Alex Stamos.

Zoom ka në plan të ofrojë këtë muaj kodimin e plotë të bisedave video si në variantin falas edhe në atë me pagesë.

Comments are closed.