Lumnije Thaçi do të jetë pjesë e delegacionit që kryesohet nga bashkëshorti i saj, Presidenti Hashim Thaçi. Ata janë nisur të hënën për New York, ka njoftuar presidenca e Kosovës. I pari i vendit dhe Zonja e Parë e shtetit në SHBA do të priten nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe gruaja e tij Melania. Kjo e fundit ka bërë ftesën për çiftin presidencial të Kosovës, për pjesëmarrje në Asamblenë e Pergjithshme të OKB-së. “President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, i shoqëruar nga Zonja e Parë e shtetit, Lumnije Thaçi, është nisur sot për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës do të priten nga çifti presidencial Trump”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Gjatë vizitës, pritet që Presidenti Thaçi të ketë një takim te shkurtër edhe me Trumpin.