Një zjarr i madh ka rënë në një pallat në Rrugën e Elbasanit, afër Liceut Artistik. Kati shtesë, papafingo, që përdorej si palestër nga Gaz Demi, presidenti i Partizanit, është shkrumbuar tërësisht. Lajmi i mirë është se në kohë rekord janë evakuar banorët, të cilët janë zënë në befasi, gjithsesi. Në vendngjarje kanë mbërritur disa zjarrfikëse, që kanë nisur luftën me flakët dhe tymin e madh, por lartësia ka qenë e madhe, shkallët e tyre mund të shkonin deri në katin e shtatë (po digjej papafingoja, që korespondon me katin e 12-të). Burime nga policia e kryeqytetit thanë për mediat se papafingoja e djegur i përket presidentit të klubit të kuq, i cili fatmirësisht nuk kishte asnjeri në shtëpi. Në këtë pallat mësohet se banon edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Madje, ai është parë mes banorëve plot pezm, duke ndjekur luftën e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll situatën. Dyshohet se zjarri ka ardhur nga një shkëndijë elektrike, por banorët kanë thënë se kanë dëgjuar edhe dy shpërthime.