Zjarri në një vit merr nga 10 jetë

Shkup, 9 nëntor – Mesatarisht dhjetë qytetarë të Maqedonisë vdesin çdo vit si pasojë e ekspozimit ndaj tymit, zjarrit ose nga flaka e zjarreve të ndryshme. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave për vdekjet e dhunshme në pesë vitet e fundit. Vetëm javën e fundit, për shkak të helmimit me tym kanë vdekur tre persona, ndërsa tre të tjerë kanë përfunduar në Qendrën urgjente në Shkup. Të gjithë fatkeqësitë kanë ndodhur në vendbanime ose në ambiente të mbyllura. Një nga rastet i cili e ka tronditur opinionin është ai i të enjtes së kaluar, kur nga tymi i shporetit u helmuan dy motra të moshës 21 dhe 22 vjeç. Njërën prej tyre mjekët nuk patën sukses ta shpëtojnë. Dy vajzat pa vetëdije i ka gjetur babai i tyre në shtëpinë familjare në fshatin Skudrinjë të Komunës Mavrovë-Rostushë. Sipas informacioneve të policisë, helmimi ka ndodhur  përderisa motrat kanë qenë në gjumë, ndërsa tymi nga shporeti me dru e ka mbushur dhomën. Gjithashtu para disa ditëve, në një rast tjetër humbën jetën dy persona. Një person i moshës 37 vjeçare është helmuar nga tymi në hapësirën ndihmëse në fshatin Mokrievo të Strumicës. Tymi, siç kumtojnë kompetentët, është shkaktuar nga zjarri i cili ka qenë i shkaktuar nga duhani. Një tjetër viktimë është 75 vjeçari, i cili është mbytur nga zjarri në shtëpinë familjare në fshatin Mateç. Përkundër këtyre rasteve, me viktima dhe të helmuar, javën e kaluar ndodhën edhe të paktën tre zjarre të tjera. Kjo periudhë e vitit, kur edhe fillon sezoni i ngrohjes, është i rëndësishëm kujdesi ndaj zjarrit… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.