Reding, 30 korrik – Mbi 12.000 zjarrfikës luftojnë me zjarrin e madh pyjor që tërbon në pjesën veriore të shtetit federal amerikan Kaliforni, në afërsi të qytetit Reding dhe i cili deri më tani ka marrë gjashtë jetë.
Erërat e fuqishme dhe vera e thatë krijuan kushte për përhapje të mëtutjeshme të zjarrit edhe krahas përpjekjeve të zjarrfikësve.
“Kushtet e motit në rajonin e zjarrit edhe më tej janë të volitshme për përhapjen e tij”, kumtoi Shërbimi nacional meteorologjik amerikan.
Autoritetet amerikane dje njoftuan se në zjarr kanë humbur jetën një grua e moshuar me dy stërmbesat e saj. Dy zjarrfikësit dhe një qytetar gjithashtu kanë humbur jetën në zjarr, ndërsa kërkohen edhe shtatë persona.
Më rëndë është goditur qyteti Reding, ndërsa janë përfshirë 36.000 hektarë dhe janë djegur mbi 500 objekte.
Zjarri që përhapet në parkun nacional Josemiti, është nën kontroll në një të tretën e sipërfaqes, në të cilën përhapet. Ky zjarr përhapet nga 13 korrikut dhe deri më tani janë djegur mbi 20.000 hektarë tokë dhe ka shkaktuar vdekjen e një zjarrfikësi.