Omer XHAFERI
Shkup, 3 gusht – Fusha, male dhe kodrina ditëve të fundit janë përfshirë nga zjarret. Në fshatrat përreth qytetit të Shkupit, siç janë Bukoviqi, Kondova e Nigishtani flaka e zjarreve ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme të barishteve të thata. Ndonëse nga organet kompetente ende nuk kanë dalë me raport zyrtar se cilat janë faktorët kryesor të përhapjes së zjarrit në këtë rajon, banorët e këtyre fshatrave vlerësojnë se pakujdesia e qytetarëve ka ndikuar në shkaktimin e këtyre zjarreve. Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Nigishtan, Bejadin Osmani, në prononcimin e tij për gazetën KOHA, thotë se pas shumë viteve – për herë të parë zjarri në rajonin e tyre është paraqitur mbrëmjen e 1 gushtit. “Pavarësisht se policia dhe zjarrfikësit nuk kane ende arsyet e përhapjes së këtij zjarri, unë jam i mendimit se neglizhenca qytetare në radhë të parë është shkaktar i këtij zjarri, pastaj nuk i përjashtoj edhe temperaturat e larta. Gjatë mbrëmjes së 1 gushtit dhe mëngjesin e 2 gushtit, ekipet e zjarrfikësve në vazhdimësi janë angazhuar në shuarjen e zjarreve dhe lokalizimin e tyre. Fatmirësisht, dëme materiale nuk kemi pësuar, megjithatë nga flakët e zjarrit ka pësuar një trafostacion i rrymës 10 megavat, i cili e ka lënë të gjithë fshatin pa rrymë. Si rrjedhojë e djegës së këtij trafostacioni, ne kemi ngelur edhe pa ujë të pijshëm për shkak se në mungesë të rrjetit të ujësjellësit, ne e shfrytëzojmë sistemin e hidroforit për tu furnizuar me ujë të pijshëm”, tha Osmani për gazetën KOHA. Përveç në këtë rajon, sipas të dhënave të Ministrinë së Punëve të Brendshme, zjarret gjatë ditëve të fundit janë paraqitur dhe regjistruar edhe në fshatin Graçan, i cili kufizohet me pikën kufitare në Bllacë. Ndërkohë, fshatrat tjerë të rajonit të Dervenit që janë përfshirë nga zjarret janë Kopanica, Rotinca dhe fshati Radushë, të cilët me ndihmën e ekipeve të zjarrfikësve dhe banorëve vendas, kanë arritur të lokalizohen dhe shuhen. Nga ana tjetër, banorët e fshatit Kondovë të Komunës së Sarajit janë ankuar se ekipet e zjarrfikësve nuk ju kanë dalë në ndihmë gjatë shuarjes së zjarrit, por ato janë organizuar individualisht dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin që është shkaktuar buzë shtëpive të tyre, gjegjësisht helikopteri i cili gjatë ditës ka qarkulluar mbi shtëpitë e tyre ndërsa ndihmë për shuarjen e zjarreve ka dërguar vetëm në rajonin e fshatit Orman, që kufizohet me atë të Nigishtanit. Ndryshe, për dhjetë ditë të plota zjarret në rajonin e Makedonski Brodit ende janë aktive. Sipas informacioneve paraprake, deri më sot zjarret në këtë rajon kanë djegur rreth 400 hektarë të pyjeve të mbuluara me pisha. Situata kritike dhe tepër e rrezikshme ka ndikuar që Qendra për Menaxhim me Kriza(QMK) të kërkoj ndihmë ndërkombëtare për shuarje e zjarreve në këtë rajon. Drejtori i QMK-së, me këtë rast ka theksuar se nga aksionet e deritanishme për shuarjen e zjarreve në këtë rajon, janë mbledhur prova se ky zjarr është shkaktuar nga faktori njeri. Lidhur me këtë situatë të krijuara Qeveria në takimin e fundit ka sjellë vendim që në procesin e shuarjeve të zjarreve të përfshihet edhe ushtria, ndërkaq nëpunësit e MPB-së janë obliguar që ta shtojnë prezencën e tyre në rajonet e rrezikshme. Me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarreve tjera, nga Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime” – Shkup, ju kanë apeluar qytetarëve që ta mënjanojnë vizitën e malit të “Vodnos” gjatë orëve të vona të natës. “Qytetarët në përgjithësi ta ikin vizitave të malit të “Vodnos” gjatë periudhës që pason. Ky apel sidomos vlen për ato qytetar që gravitojnë në këtë rajon gjatë orëve të vona të natës. Temperaturat e larta që pasojnë në ditët në vijnë paraqesin rrezik potencial për përhapjen e zjarreve, për këtë arsye apelojmë që qytetarët t’i përmbahen vizitave të malit “Vodno”, gjegjësisht hedhjes së mbetjeve nga duhani, ndezja e zgarës e kështu me radhë”, thuhet në kumtesën zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërime”-Shkup. Sidoqoftë, ky apel për vetëdijesimin e popullatës vlen edhe për ato qytetar të cilët e vizitojnë malin rekreativ të “Gazi Babës”, të cilët gjatë orëve të pasdites në të shumtën e rasteve fushat e thata i shfrytëzojnë për pushime dhe ndezjen e bombolave me gaz me qëllim përgatitjen e kafeve apo çajit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.