Në solemnitetin modest, komisari i Njësisë së Zjarrfikësve, Xhetan Miftaroski theksoi se të gjithë zjarrfikësit e Njësisë dhanë një kontribut shumë të madh në lidhje me aktivitetet preventive që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga koronavirusi
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 maj – Njësia territoriale antizjarr në Dibër sot ka shënuar Ditën e Zjarrfikësve – 20 majin. Njësia në fjalë ka realizuar tërësisht aktivitetet e parapara me Programin e punës dhe me sukses realizoi edhe aktivitete preventive që kanë të bëjnë edhe me luftën kundër koronavirusit. Kjo njësi mori lëvdata dhe falënderime nga institucionet lokale për punën që realizoi me dezinfektimin gjatë situatës së krizës në Dibër dhe gjendjen e jashtëzakonshme.
Në solemnitetin modest, komisari i Njësisë së Zjarrfikësve, Xhetan Miftaroski theksoi se të gjithë zjarrfikësit e Njësisë dhanë një kontribut shumë të madh në lidhje me aktivitetet preventive që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga koronavirusi. “Njësia në fjalë tërësisht dezinfektoi disa herë plot 67 objekte të institucioneve publike dhe banesave kolektive në qytet. Po ashtu mori pjesë edhe në dezinfektimet që u realizuan edhe në hapësira tjera. Bashkëpunimi me pushtetin vendor ka qenë në nivel të lart dhe normalisht edhe me Shtabin e krizës që nga fillimi gjendjes së krizës – nga 13 marsi e deri më sot”, tha Miftaroski.
Njësia antizjarr, e cila është e angazhuar për shuarjen e zjarreve në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë gjatë vitit të kaluar ka patur 114 intervenime, kryesisht në banesa dhe në shuarjen e zjarreve në hapsira të hapura. Gjatë këtij viti, në periudhën janar-maj, numri i intervenime i kësaj njësie në të dy komumat ka qenë 44. Gjithmonë intervenimet kanë qenë të suksesshme dhe si të tilla – kanë kontribuar në lidhje me mbrojtjen nga zjarret. Duhet theksuar se kjo njësi, përveç aktiviteteve të saj në shuarjen e zjarreve, jep një kontribut të madh edhe në mbrojtjen dhe shpëtimin e personave meqë një pjesë e zjarrfikësve tani më kanë licenca të këtilla.
Kur jemi tek të punësuarit në këtë njësi, duhet theksuar se bëhet fjalë për profesionist të vërtet. Zjarrfikësi i njohur i kësaj njësie, Arben Fida, i cili merr pjesë në aktivitete të ndryshme humanitare, ishte zjarrfikësi i parë dibran i cili mori pjesë gjatë vitit të kaluar në shpëtimin e personave nën rrënoja nga tërmeti në Durrës. Ai, si individ – ishte pjesë e ekipit shpëtimtar nga Romania, i cili me sukses shpëtoi shumë jetë të personave të cilët u gjendën nën rrënojat nga tërmeti katastrofal në Durrës. Njësia antizjarr viteve të fundit tërësisht është kompletuar me ekipin kadrovik, si dhe me autobote me të cilët shuan zjarret. (koha.mk)