Zjarrfikësit me kushte më të mira për punë

Këto ditë filloi rikonstuimi i tërësishëm i objektit të njësisë të zjarrfikësve i cili është ndërtuar në vitin 1953. Vet fakti që punohet për një objekt të ndërtuar para shtat dekadave, flet qartë se në çfarë kushte ka funksionuar njësia e zjarrfikësve dibran

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 26 maj – Me aktivitete e pushtetit vendor në Dibër dhe përkrahje të Qendrës rajonale Jug perëndim këtë vit tejkalohet problemi i madh i sanimit të objektit të njësisë territoriale antizjarr në Dibër. Këto ditë filloi rikonstuimi i tërësishëm i objektit të njësisë të zjarrfikësve i cili është ndërtuar në vitin 1953. Vet fakti që punohet për një objekt të ndërtuar para shtat dekadave, flet qartë se në çfarë kushte ka funksionuar njësia e zjarrfikësve dibran.

Advertisements

Kryetari i Dibrës Hekuran Duka ka informuar se pas disa kërkesave që bëheshin në kontinuitet, ajo ka përfituar projektin për rikonstruimin të objektit të njësisë antizjarr në Dibër, nga Qendra planore të rajonit jug perëndim, në të cilën merr pjesë edhe kjo komunë. “Me projektin që filloi të realizohet faktikisht bëhet një rikonstruim total i objektit. Tërësisht ndërrohet kulmi, dritaret, dyert, nyjet sanitare, etj”, thotë kryetari i Dibrës Hekuran Duka. Ai duke vizituar punimet theksoi se pritet që rikonstruimi të realizohet në afatin e caktuar. “Me këtë projekt zjarrfikësit dibran do të kenë kushte maksimale që të realizojnë detyrat e tyre të përditshme”, thotë Duka.

Projekti kap një vlerën prej mbi 80 mijë eurove. Ai potencon se me udhëheqësin e kësaj njësie është konkluduar se duhet një vëmendje të veçantë t’i kushtohet edhe fushatës për një aktivitet preventiv për parandalimin e zjarreve së bashku me qytetarët. Ai tha se është shumë i kënaqur nga efikasiteti i njësisë dhe angazhimi i 14 zjarrfikësve. Por edhe tani shprehu pakënaqësinë nga komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë në lidhje me mospagesën të mjeteve për njësinë. Aktualisht vetëm 4 zjarrfikës paguhen nga institucionet qendrore, kurse 10 i paguan drejtpërdrejt pushteti vendor.

Komisari i njësisë antizjarr, Xhetan Miftaroski thotë se rikonstruimi i objektit do të mundësoj kushte maksimale në të mirë zjarrfikësve. Deri tani punonim në kushte shumë të rënda dhe falë projektit që përfitoi komuna nga Qendra planore e rajonit Jug perëndim, tani rikonstruimi i objektit ka një domethënie shumë të madhe. Ai potencon se poashtu me përkrahje të komunës viteve të fundit është rregulluar edhe situata rreth pagesës së rrogave dhe shumë shpejtë presim edhe një vendim të Gjykatës Themelore për pagesën të mjeteve që kemi kërkuar në mënyrë ligjore të papaguar nga institucionet qendrore para katër viteve. Duke komentuar situatën rreth zjarreve, njeriu i parë i kësaj njësie thotë se në periudhën janar- maj të vitit 2023, është regjistruar një numër minimal dhe deri tani më i ulët i zjarreve. “Për katër muaj janë regjistruar vetëm 25 intervenime që do të thotë 60 për qind më pak se sa vitet e kaluara në të njëjtën periudhë”, thotë ai dhe sqaron se shkaqe kryesore janë kushtet klimatike. (koha.mk)