Dibër, 28 shkurt – Mbrojtja nga zjarret në hapësira dhe objekte ka një domethënie të madhe në mbrojtjen e pasurisë, por edhe në sigurinë e jetës së popullatës. Të dhënat e viteve të fundit theksojnë se Njësia Antizjarr në Dibër me sukses realizon obligimet e saj në Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë- Roshtushë. Por, duhet theksuar edhe faktin se kjo njësi – për ndërtesat shumëkatëshe nuk ka automjet të instaluar mekanizëm për shkallë, gjë që e pamundëson intervenimin adekuat kundër zjarreve në ndërtesat kolektive. Komisari i Njësisë antizjarr në Dibër, Xhetan Miftaroski, duke dhënë raport për punën e kësaj Njësie për vitin e kaluar, si dhe plan-programin për këtë vit, në seancën e Këshillit të Komunës tha se kjo njësi i realizon të gjitha intervenimet për shuarjen e zjarrit në kohë, si në Komunën e Dibrës ashtu edhe në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, por edhe shpeshherë ka intervenuar edhe në viset kufitare të Shqipërisë.
Miftaroski para këshilltarëve tha se kësaj njësie i duhet një automjet me korpë, respektivisht mekanizëm me shkallë, e cila do t’ju shërbej për shuarjen e zjarreve nëpër ndërtesat shumëkatëshe. “Në Dibër, siç e dimë, nga dita në ditë rritet numri i ndërtesave shumëkatëshe dhe pjesa dërmuese e dibranëve kanë filluar të jetojnë nëpër banesa kolektive. Vet fakti se në Dibër ka mbi 60 ndërtesa kolektive flet qarët se sa familje jetojnë në to”, thotë Miftaroski dhe shton se nevoja për të siguruar një automjet me shkallë është i patjetërsueshëm, pasi intervenimet në ndërtesat shumëkatëshe nuk mund ti realizojmë me automjetet autobote që posedojmë. Komisari Miftaroski tha se ky automjete i duhet zjarrfikësve me shkallë deri në 25 metra, ngaqë në qytetet tjera – makinat antizjarr madje janë me shkallë deri 50 metra.
“Ne do të ishim të kënaqur po të na siguronte pushteti vendor një automjet të këtillë të përdorur, pasi e dimë se vlera e tyre arrin deri në 500 mijë euro”, thotë Miftaroski. Ai shtoi se këtë kërkesë e ka drejtuar edhe në adresë të pushteti lokal dhe shpreson se do të sigurohen mjetet për këtë automjet mjaft të nevojshëm për Njësitin antizjarr në Dibër. “Kjo pajisje do të kontribuojë në funksionimin më efektiv të punës së Njësisë zjarrfikëse dhe në përmirësimin e efikasitetit të saj në terren, në mënyrë që të rrisë sigurinë e qytetarëve dhe shërbim më të mirë për ne”, thotë Miftaroski. Duke komentuar intervenimet kundër zjarreve, vitin e kaluar kishte më pak zjarre ngaqë Dibra dhe Zhupa ishin një muaj në karantinë. Në vitin 2020 ka patur 132 intervenime dhe në krahasim me vitin 2019 – ka patur një ulje të numrit të zjarreve edhe atë për 30 më pak. (koha.mk/V.S.)