VMRO-DPMNE-ja vazhdon të kërkoj përgjegjësi nga Qeveria për zjarrin në Koçan. Për shkak të dështimit të institucioneve për përballje efikase me zjarret, mungesën e makinerisë, aeroplanëve dhe pajisjeve tjera, opozita maqedonase ka paralajmëruar padi kundër drejtuesve të lartë shtetëror
Xhenur ISENI
Shkup, 5 gusht – Atë natë ferri zbriti në tokë, kështu e përshkruajnë banorët e Koçanit tmerrin kur rreth orës 18:00 zjarri qe nisi në fshatin Beli, vetëm pak kilometra nga Koçani, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta dhe zona e mbjellë me pisha, dru lehtësisht i djegshëm, shkrumboi më shumë se 100 hektarë pyje, të dhëna ende të pakonfirmuara zyrtarisht. Banorët thonë se situata ishte e tmerrshme. Edhe pse tentuan të shpëtonin kafshët e tyre, përhapja e shpejtë e zjarrit e pamundësoi një gjë të tillë. Kryetari i Koçanit tha se në ndihmë zjarrfikësve u erdhi edhe ushtria dhe qindra banorë, fokusi i tyre ishte te mos lejonin mbërritjen e flakëve deri tek shtëpitë.
“Nuk mund ta themi dëmin, sepse ajo që bëmë sot në mëngjes është formimi i ekipit të vlerësimit të dëmeve nga ana e Komunës, që në vendngjarje bën ekspertizë, dhe vlerësime nga dëmet e shkaktuara, që do të na ndihmojnë të kemi qasje të drejtë ndaj asaj që ndodhi si dëm te qytetarët, dhe në kuadër të mundësive tona tu ndalim në ndihmë, dhe të ndihmojmë në riparimin e dëmeve nga ky zjarr i tmerrshëm që e kaploi Koçanin.”- deklaroi Nikollço Iliev, Kryetar i Komunës së Koçanit.
Aeroplanët për shuarjen e zjarreve qëndrojnë në hambar
Edhe pse aeroplanët “AirTractor” të destinuar për shuarjen e zjarreve, nuk fluturojnë për dy vjet, sepse nuk servisohen, kjo nuk ishte pengesë Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit në maj të këtij viti të sigurojë karburant për ta. Dihej se në muajt e ardhshëm avionët nuk do të ishin në gjendje të fluturonin. Kontrata për furnizimin me karburant u nënshkrua më 5 maj, me vlerë 50 mijë euro. Përveç karburantit të blerë, një kontratë sigurimi për tre aeroplanët, me vlerë afro 200 mijë euro, u nënshkrua vitin e kaluar, e cila skadon në shtator të këtij viti. Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit thotë se këto prokurime ishin të nevojshme, edhe pse bëhet fjalë për procedura shumë të shpejta dhe të thjeshta, sesa lidhja e një marrëveshjeje për servisimin e avionëve. “Po sikur të kishim një aeroplan gati, por të mos kishim karburant. Një procedurë e tillë është shumë më e thjeshtë dhe zgjidhet shumë më shpejt se kjo, askush nuk e priste që i njëjti operator të apelonte dy herë në të njëjtën procedurë”, thotë Bekim Maksuti.
Tre “AirTractors” nuk kanë qenë në funksion për dy vjet. Dy tenderat e shpallur për servisim dështuan pasi servisuesi, kërkoi shumë që është 40 për qind më e lartë nga ajo që e lejon Ligji i Prokurimit Publik. Për momentin, procedura do të kryhet me negociata të drejtpërdrejta për të gjetur një servisues, në mënyrë që aeroplanët të jenë funksional.
Qeveria furnizohet me vetura zyrtare, por jo dhe me zjarrfikëse dhe ambulanca
Në vend të automjeteve zyrtare me lizing, dy milionë euro duhej të dedikohen për vetura që do të përdoreshin për shpëtimin e jetëve të njerëzve. Prioritet i Qeverisë duhet të jetë furnizimi i ambulancave dhe automjeteve zjarrfikëse, e më pas të mendohet për automjetet zyrtare. Në tre vitet e fundit, shteti ka shpenzuar tetë milionë euro për blerjen e veturave të reja zyrtare. Nga ana tjetër, vendi ka 220 makina zjarrfikëse dhe 183 ambulanca. 70% të makinave zjarrfikëse janë të shekullit të kaluar dhe janë të moshës 29 deri në 30 vjeç. Nga furnizimi i fundit i 45 automjeteve të reja luksoze të markës Passat, ato do të përdoren nga ministrat dhe delegacionet e huaja në tre vitet e ardhshme. Pas tre vjetësh, automjetet do të duhet të kthehen në kompaninë e lizingut.
Resurse të kufizuara
Drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave, Stojançe Angelov, informoi se zjarri në Koçan ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pa viktima në njerëz. Si drejtues i institucionit, ai thotë se është krenar që nuk pati viktima në njerëz dhe se dëmet materiale do të riparohen lehtë. Shkaku i zjarrit mund të jetë nga rrjeti elektrik. Erërat e forta dhe temperaturat e larta bënë që zjarri të përhapet me shpejtësi, dhe të arrijë pranë shtëpive. Angelov pranoi se shteti ka resurse të kufizuara për ballafaqim me zjarre të tilla. “Ne nuk kemi dy shtëpi të djegura në Koçan. Kemi dy çati të djegura të shtëpive. Është djegur një stan, nga i cili delet u hoqën me kohë. Fotografitë që shihni janë të disa kafshëve. Edhe disa makina gjithashtu u dogjën. Sot do të krijohet një komision nga kryetari i komunës, për të hetuar dëmet, do të bëjë proces verbal dhe njerëzit do të kompensohen menjëherë”, deklaroi Stojançe Angelov, Drejtor i QMK.
Rritet presioni për përgjegjësi
Ndërkohë, për shkak të dështimit të institucioneve për përballje efikase me zjarret, mungesën e makinerisë, aeroplanëve dhe pajisjeve tjera, opozita maqedonase ka paralajmëruar padi kundër drejtuesve të lartë shtetëror. “VMRO-DPMNE do të paraqesë padi penale kundër qeverisë për mosveprimin në kohë për të parandaluar zjarrin në Koçan. Ajo që ndodhi dy ditë më parë në Koçan është një tregues i gjithë papërgjegjësisë së qeverisë së Zaevit dhe paaftësisë së tyre duke vënë në rrezik jetën dhe pronë e qytetarëve. Me Zaevin dhe LSDM-në në pushtet, ne shohim mosfunksionim total të sistemit”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Kryeministri Zaev, së bashku me drejtues tjerë të qeverisë kishte shkuar në zonat e krizës ndërsa angazhoi të gjitha kapacitetet për shuarjen e zjarreve. Të martën, Serbia dërgoi katër helikopterë zjarrfikës. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski së bashku me homologun e tij serb, Aleksandar Vullin, inspektuan situatën pas shuarjes së zjarrit në Staro Nagoriçane, një zonë afër qytetit të Kumanovës pranë kufirit me Serbinë. Kryeministri, Zoran Zaev, ka njoftuar vënien në dispozicion të fondeve të qeverisë për kontrollet e nevojshme për tre aeroplanët për shuarjen e zjarreve. Ata tani disa vite nuk kanë bërë asnjë ngritje në ajër për shkak të mungesës së fondeve për kontrollin e tyre.