Urim HASIPI
Tetovë, 18 shtator – Zjarrfikësit e Tetovës vetëm gjatë ditës së diel ka realizuar katër intervenime në shuarjen e zjarreve njoftojnë nga Qendra regjionale për menaxhim me kriza në Tetovë. Sipas tyre, zjarre ka pasur në fshatrat e komunave rurale, shkruan gazeta KOHA. Në fshatin Pallaticë të Komunës së Zhelinës, me një automjet për shuarjen e zjarrit, tre zjarrfikës kanë arritur që të shuajnë një zjarr ku është djegur bar i thatë. Në fshatin Falishtë të Komunës së Tetovës po ashtu tre zjarrfikës me anë të një automjeti për shuarjen e zjarrit kanë arritur që shuajnë një zjarr ku janë djegur dërrasa dhe materiale ndërtimore. Gjithashtu tre zjarrfikës me një automjet kanë intervenuar në një zjarr që ka shpërthyer në pyll mbi fshatin Çellopek të Komunës së Bërvenicës. Edhe ky zjarr, falë intervenimit të njësisë territoriale kundër zjarrit pranë Komunës së Tetovës, është shuar në tërësi. Por, nuk ka pasur zjarre vetëm në rrethinën e Tetovës, por edhe në Gostivar. Njësia territoriale kundër zjarrit pranë Komunës së Gostivarit, ka paraqitur katër intervenime për shuarjen e zjarrit edhe atë nga ora 11.20 deri në orën 11.55, me anë të një automjeti për shuarjen e zjarrit dhe me tre zjarrfikës është intervenuar në vendbanimin Fazanerija në Gostivarë, në një zjarr i cili kishte shpërthyer në mal. Nga ora 14 deri në orën 15.05, me anë të një automjeti për shuarje, tre zjarrfikës kanë intervenuar në fshatin Çegran ku është djegur barrë i thatë. Nga ora 15.45 deri në orën 16.45 dy zjarrfikës me anë të një automjeti adekuat për shuarjen e zjarrit, kanë intervenuar në fshatin Tumçevishtë, ku është djegur po ashtu bari i thatë. Nga ora 15.40 minuta deri në orën 17.00, është intervenuar në shuarjen e një zjarrit që ka shpërthyer mes fshati Çegran dhe Tumçevishtë. Të dielën në orën 13.20 është paraqitur një zjarr ku po ashtu është djegur bari i thatë në Kodrën e Diellit. Për këtë është njoftuar njësia territoriale kundër zjarrit pranë Komunës së Tetovës dhe Ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë”, si dhe stacioni policor në Kodrën e Diellit. Në orën 19.15 një person nga Bervenica ka paraqitur një zjarr, i cili ka shpërthyer në mal mbi fshatin Çellopek, në vendin e ashtuquajtur Muratovski. Sipas tij, përkohësisht është vënën nën kontroll, gjegjësisht është lokalizuar, por ekziston rreziku që zjarri sërish të riaktivizohet dhe të përfshijë një mal të pyllëzuar më pyje lisi. Edhe për këtë zjarr është njoftuar njësia territoriale kundër zjarrit pranë Komunës së Tetovës, nga ku menjëherë është dërguar një ekip prej tre zjarrfikës, të cilët në vendngjarje kanë arritur me një automjet të posaçëm. Gjithashtu për zjarrin në fjalë është njoftuar edhe stacioni policor në Zherovjan, Ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë”, të cilët thanë se do të dërgojnë një ekip në orët e mëngjesit. Edhe ky zjarr është shuar në tërësi me intervenimin e njësisë territoriale kundër zjarrit pranë Komunës së Tetovës. Kësisoj, edhe pse tashmë zjarret nuk janë në përmasa më të mëdha, megjithatë të njëjtit janë aktiv në shumë vende dhe herë pas herë shpërthejnë në vendbanimet e Pollogut, duke shkaktuar vetëm dëme materiale të mëdha. (koha.mk)