Përderisa ka vonesa në rregullimin e brendshëm të deponisë Rusino, njerëz të pandërgjegjshëm vazhdojnë të shkaktojnë zjarre të qëllimshme në këtë deponi
Urim HASIPI
Gostivar, 29 maj – Kohëve të fundit janë shpeshtuar zjarret në deponinë Rusino. Era e pakëndshme nga djegia e mbeturinave është ndjerë edhe në qytetin e Gostivarit. Zakonisht djegia e mbeturinave ndodh gjatë orëve të natës, kurse ekipet e zjarrfikësve dhe të Ndërmarrjes komunale janë në terren për të shuar zjarret. Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes publike “Komunalec” zjarret kanë ndodhur gjatë kohës së festës së Fitër Bajramit dhe dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. “Ndodh që gjatë festave të kemi zjarre dhe dyshimet tona janë se kjo ndodh nga faktori njeri. Nuk kemi informacione se kush qëndron prapa këtyre zjarreve, individ apo grup njerëzish, sepse kemi raste kur ndodh të kemi zjarre disa ditë radhazi. Nuk duam të besojmë se kemi të bëjmë me ndonjë prapavijë politike, por kjo tashmë është shumë shqetësuese ngase kemi periudha kur nuk ka zjarre dhe pastaj ndodh që të kemi zjarre çdo ditë”, thonë nga Ndërmarrja “Komunalec”.
Për herë të fundit zjarr në deponinë Rusino ishte përhapur dy net më parë, kur në terren kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve. Nga kjo ndërmarrje apelojnë që nëse qytetarët vërejnë zjarr apo hasin njerëz në afërsi të deponisë të lajmërojnë policinë ose zjarrfikësit. “Para dy ditëve kemi patur zjarr sërish në deponinë Rusino dhe pas tre orëve intervenim kemi arritur që të lokalizojmë zjarrin. Për çdo lëvizje të dyshimtë, qytetarët kanë në dispozicion numrin e telefonit dhe mund të denoncojnë menjëherë sepse numri është aktiv gjatë 24 orëve”, pohuan nga Ndërmarrja publike “Komunalec” në Gostivar.
Ndërkaq, zjarre në deponinë Rusino ishin regjistruar para dy jave, por deri më tani nuk ka asnjë informacion kthyes se kush qëndron prapa kësaj. Në ndërkohë, deponia Rusino vazhdon të jetë një problem që shqetëson një kohë të gjatë banorët e Gostivarit me rrethinë. Në këtë deponi vite me radhë mbeturinat hidhen nga të gjitha komunat e rajonit të Pollogut. Kjo deponi ka funksionuar deri më tani pa asnjë standard ekologjik dhe paraqet bombë ekologjike për këta qytetarë. Banorët që jetojnë në afërsi të saj dhe kanë pronat e tyre, një kohë të gjatë kishin bllokuar dërgimin e mbeturinave në këtë deponi pa u plotësuar kushtet që i kishin vendosur ata. Kohë më parë krerët e komunave të Pollogut janë dakorduar që të ketë një ndërmarrje, e cila do të menaxhojë me këtë deponi. Në të gjitha komunat e Pollogut, këshillat komunale kanë votuar vendimin për të themeluar një ndërmarrje për menaxhimin e deponisë në fjalë.
Drejtuesit e qendrës së rajonit planor në Pollog kohë më parë kanë thënë se pikërisht këtë vit duhej që të ketë punë intensive për rregullimin e deponisë Rusino, pasi që komunat e Pollogut kanë marrë një grant prej 7 milionë franga nga ambasada e Zvicrës pikërisht për të rregulluar këtë deponi, por ende nuk ka asgjë konkrete se pse ende nuk kanë filluar për të rregulluar të njëjtën. Vitin e kaluar ishte rregulluar rruga nga Gostivari për në deponinë Rusino, pasi që kjo ishte edhe kërkesë e banorëve të kësaj zone, të cilët kishin vendosur kushte që nëse nuk ndërtohet rruga, nuk do të lejojnë që të hedhin mbeturinat. Me shumë vonesa edhe kjo rrugë ishte ndërtuar, kurse punët tjera rreth rregullimit të brendshëm nuk dihet se kur do të fillojnë. (koha.mk)