Zagreb, 13 nëntor 2018 – Në Zagreb, sot herët në mëngjes, nën rrethana të panjohura, shpërtheu zjarr tek një automobil. Gjuhët e zjarrit u përhapën shumë shpejt dhe përfshinë gjithsej nëntë automjete, prej të cilave tre u dogjën plotësisht.
Zjarrfikësit, me dy automjete e kanë shuar zjarrin për vetëm shtatë minuta, por u shkaktua dëm i madh material. Në këtë incident nuk ka të lënduar.
Arsyeja e saktë për zjarrin do të bëhet e ditur pas hetimit policor i cili po vijon. Mediat kroate, duke iu referuar burimeve jozyrtare, citojnë se zjarri është vënë me qëllim.