Urim HASIPI
Gostivar, 2 nëntor – Ajo është 28 vjeçe, por gati se 16 vjet radhazi është në terapi me dializë. Zinepe Iseini nga qyteti i Gostivarit që në moshë të vogël ka mbetur jetime dhe është rritur me shumë mundime, duke tejkaluar shumë sfida që jeta i kishte sjellë, shkruan gazeta KOHA. Që nga viti 2004, ajo rregullisht merr terapinë me dializë, ndërsa jeton e vetme pa pasur asnjë afër që ta ndihmojë. Deri më tash ka mbijetuar me ndihmën e shumë qytetarëve nga vendi dhe jashtë, duke përballuar varfërinë dhe sëmundjen e saj të veshkave. Ndihmë ka kërkuar në shumë dyer, por gjithmonë kanë qenë të mbyllura, përveç bamirësve të shumtë që kanë pasur mirëkuptim për situatën e saj. Zinepe Iseini, e lindur me 1988 nga Gostivari, vuan nga sëmundja e veshkave. Ajo që nga mosha e saj 16 vjeçare (plot 12 vjet), vuan nga sëmundja e veshkave dhe trajtohet në Spitalin e qytetit të Gostivarit, në repartin e hemodializës. Ajo bën dializë 3 herë në javë dhe shpëtim i vetëm është dializa, pra gjendja shëndetësore dhe jeta e saj momentalisht varen nga aparati për dializë dhe ka nevojë për ndihme financiare.
“Momentalisht jetoj me një ndihmë prej 2000 denarë në muaj. Kjo nuk më mjafton për nevojat elementare dhe ditore që i nevojiten një njeriu për të jetuar normalisht. Vështirë është se unë jetoj e vetme, në një shtëpi e cila gjatë dimrit pikon nga të gjitha anët”, shprehet Zinepe Iseini. Zinepe Iseini mbijeton me një ndihmë sociale prej 2000 denarë në muaj, por kjo nuk i mjafton as për të plotësuar nevojat elementare. Ajo është e re, por në fytyrën e saj qëndrojnë shumë rrudha ku çdonjëra prej saj, flet për nga një vështirësi që aspak nuk është e zakonshme për moshën e saj. Në moshën 15 vjeçare kur ajo ende thurte ëndrrat e rinisë, një e papritur shqetësoi shëndetin e saj, për ta paralajmëruar se nga ai moment, jeta e saj tërësisht do të ndryshonte dhe se vuajtjet sapo kishin filluar. Ajo të freskët e ka kujtimin e hidhur kur një ditë fillon t’i fryhet trupi, pa ndjerë asnjë dhimbje dhe në momentin që paraqitet për analiza në spital, mjekët konstatojnë se veshkat e saj kishin ndaluar së funksionuari dhe për pasojë, menjëherë i nënshtrohet trajtimit me dializë. Së fundmi, Zinepi po përballet edhe me tension shumë të lartë të gjakut dhe gjë që i ka shkaktuar probleme të shumta në zemër. Por, krahas të gjitha këtyre lajmeve të këqija, fatmirësia qëndron në faktin se mjekët në Shkup, tashmë kanë gjetur veshkë adekuate për të kryer transplantin, por në pyetje janë vetëm 25 mijë euro, që ajo përfundimisht të lirohet nga fistullat që kanë shkaktuar dëmtime të shumta në krahët e kësaj 28 vjeçare. Ajo kërkon ndihmë për të mbijetuar në dimrin që afron, sepse në shtëpinë e vjetër ku jeton kushtet nuk i mundësojnë që të ketë një ambient më të ngrohtë.
“Kam nevojë për ndihmë dhe kërkoj nga të gjithë ata që kanë mundësi të më ndihmojnë për të kaluar këtë dimër. Deri më tash më kanë ndihmuar shumë dhe unë i falënderoj të gjithë dhe u jam mirënjohëse, sepse edhe ata kanë ndarë nga vetja për të më ndihmuar”, apelon ajo. Për të ndihmuar Zinepe Iseinin mund të lajmëroheni në numrin e celularit 070 821 757. Ndërsa ndihmat mund t’i dërgoni edhe në xhirollogaritë bankare: Stopanska Banka: 200002485016317 për denarë dhe për euro: MK:07200002223083628 Eu. (koha.mk)