Një femër me klas dhe shumë e zonja, Zina Prenga e ka nisur shumë vite më parë këtë punë e që vazhdon të ruajë primatin si një nga më të mirat. Kemi biseduar për gazetën KOHA ku ajo flet në detaje mbi punën dhe jetën e saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Zina, përshëndetje! Duke dashur të bëjmë edhe një prezantim me lexuesin e gazetës Koha, si të lindi dëshira për t’u bërë një artiste e bukurisë së thonjve?
Së pari të falënderoj ty për intervistën. Profesioni im ka nisur rreth 12 vite më parë që merrem me fushën e bukurisë, në këto 12 vite jam rritur profesionalisht me kohën.
KOHA: Kush ka qenë mbështetja jote më e madhe për ty?
Familja ime e madhe vëllezërit e mi të parët që çdo hap të jetës time e kanë ndjekur dhe kanë qenë me sytë nga unë, motra ime Marjana, të cilën e kam bashkërealizuese të ëndrrës time, sepse ajo ka pasur gjithmonë një vend të rëndësishëm në jetën time dhe falë edhe saj jam këtu ku jam sot. Marjana është e diplomuar për Estetikë të përgjithshme kështu që ajo është akoma më profesioniste se unë në fusha të ndryshme të estetikës.
KOHA: Sa i vështirë ka qenë fillimi për ty?
Sigurisht që çdo fillim është i vështirë, dhe për mua ka qenë i tillë. Kam punuar për gjatë gjithë këtyre viteve dhe kam dhënë maksimumin tim. Një ditë çdo kush nga ne do shoh drejtimin e vet, edhe unë vendosa në një kohë shumë të shkurtër të hap biznesin tim.
KOHA: Si do ta përshkruaje profesionin tënd si një artiste thonjsh?
E përshkruaj si një përgjegjësi dhe një punë jo pak e lodhshme, por unë e ndej veten me fat që këtë profesion e ushtroj në vendin tim. Ndihem e respektuar dhe njëkohësisht e kërkuar nga masa e gjerë e klienteles. Unë ndjehem e kënaqur që klientet e mia janë të lumtura me duart e tyre.
KOHA: Ke pasur oferta për punë jashtë Shqipërisë?
Kam pasur disa. Më kanë merkur në vende ku profesionin im super paguhet, por e kam të pamundur të lëviz jashtë për shkak se jam shumë e lidhur me prindërit e mi dhe nuk ju largohem dot larg aq më pak tani që dita ditës vitet e tyre po ikin dhe dua ti kem pranë për aq kohë sa Zoti do t’u fali jetën.
KOHA: Ka ndonjë pasion të dytë që nëse s’do e vazhdoje më karrierën tënde të zgjidhje një profesion tjetër në të cilin do punoje po me të njëjtën dashuri?
Nuk kam menduar të heq dorë ndonjë herë por nëse do rikthehesha në kohë mund të bëhesha një avokate e mirë sepse edhe karakteri im i tillë është, e dua drejtësinë.
KOHA: A ndihet konkurrencë shumë në fushën tënde duke qenë një nga fushat më të lakmuara?
Unë gëzoj respekt për të gjithë artistët e bukurisë në çdo drejtim. Nuk mund të flas për konkurrencë sepse secili ka punën e tij dhe vlerësohet për atë që bën.
KOHA: Përtej punës, tani në këtë situate pandemie si e kalon kohën?
Jam e angazhuar në çdo moment të jem e sinqertë kjo periudhë për mua ka qenë më frytdhënëse se kurrë kështu që kohë të lirë për veten nuk kam fare. Si fillim jam e përkushtuar në punë, me kalimin e kohës do mundohem të gjej dhe pak kohë për veten (buzëqesh).
KOHA: Jeta private është e rëndësishme, ti e ruan me fanatizëm?
Sigurisht që jetën private e kam të shenjtë, jam nënë e dy djemve 15 dhe 13 vjeç, çdo përpëlitje qerpiku e imja sillet rreth tyre si e çdo prindi për fëmijët. Sytë i kam vetëm mbi to. Mendoj që tregova plot mbi privatësinë time apo jo?
KOHA: Çfarë do themi në fund të kësaj interviste?
Dua të falënderoj të gjithë klientët për besimin që kanë tek unë, falënderimi ju takon ju, që fal jush po ecim mirë çdo ditë, ju uroj të gjithëve qetësi, shëndet dhe shpresojmë që çdo gjë të kthehet si më parë.