“Zikaltrit” duan kreun

Pasi u bë klubi i parë që frenoi ekipin e Napolit, Interi i Spallettit ka rastin për të vijuar në rrugën e fitoreve, teksa do të celë javën e dhjetë të Serisë A përballë Sampdorias. Me 13 fitore radhazi “të kaltërit” ishin shndërruar në një skuadër të frikshme në kampionatin italian, megjithatë Interi tregoi personalitet dhe ia doli mbanë për të rrëmbyer një pikë shumë të vlefshme brenda në “San Paolo”.

Vitet me Romën duket se i kanë shërbyer ndjeshëm trajnerit toskan, pasi, krejt ndryshe nga ekipi kryeqytetas, “zikaltrit” kanë një mbrojtje tepër solide dhe, mbi të gjitha, skuadra po shfaq një karakter, që tek Interi nuk ishte parë prej vitesh. Spalletti ka rikthyer besimin te ky ekip dhe kjo gjë u pa më së miri edhe në mënyrën sesi skuadra qarkullonte topin në prapavijë, duke joshur Napolin për të luajtur lart dhe për të ushtruar presing në gjysmëfushën tjetër, manovër që, në fakt, nuk i dha kurrfarë rezultati formacionit të Sarrit.

Këtë radhë “zikaltrit” kthehen në “San Siro”, ku herën e fundit Interi ia doli mbanë për të fituar derbin e Madoninës, falë 3 golave të Ikardit. Mbi të gjitha, në Lombardi, Interi i ka fituar që të gjithë takimet dhe, duke patur parasysh edhe kalendarin, skuadra e Spallettit ka një rast të shkëlqyer për të grumbulluar pikë të rëndësishme, për të kuptuar më pas deri ku mund të mbërrihet.

Objektivi është i qartë, kualifikimi për në Zonën Champions, megjithatë, me vetëm një ndeshje për të përgatitur në javë, Interi është shumë më i privilegjuar në krahasim me kundërshtarë të tillë si Napoli, Juventus dhe Roma, që luajnë sistematikisht në kupat e evropës. Duke lënë mënjanë Kupën e Italisë, ky është një ndër rastet e pakta kur skuadra e Spaletit do të ketë ndeshje në mesjavë, gjithsesi kalendari deri në fillim të muajit dhjetor, përvec Sampin, i ofron Interit gjithashtu edhe kundërshtarë të lehtë në letër si Verona, Torino, Atalanta, Cagliari dhe Chievo.

Problemi i vetëm për Spallettin mbetet Brozovic, ndërsa në krahun tjetër, klubi gjenovez ka befasuar jo pak me ecurinë e deritanishme, teksa pozicionohet në vendin e gjashtë.

Ky është sezoni i dytë për trajnerin Marco Giampaolo në krye të klubit dorian dhe bën cudi fakti që Sampdoria ka humbur vetëm një nga tetë ndeshjet e luajtura, duke grumbulluar 17 pikë nga 24 të mundshmet, për më tepër, skuadra gjenoveze ka ende për të rikuperuar takimin e prapambetur me Romën. Derbi me Xhenoan është vetëm dhjetë ditë larg dhe dueli me Interin pritet të shërbejë si “provë gjenerale” për “blucerchiati”. Ndonëse e mbyllën edicionin e kaluar në mes të tabelës, me plot 14 pikë më pak, Sampdoria arriti t’i fitojë që të dy takimet e sezonit 2016-17 me ekipin e Interin.

 

Ndeshja Inter – Sampdoria do të luhet në “San Siro”, në orën 20:45 dhe do të arbitrohet nga gjyqtari kryesor, Marco Guida.