Zikaltër apo kuqezi, Barella e ka vendosur të ardhmen e tij!

Inter është shumë pranë akordit me Nicolo Barella, por në orët e fundit në garë fuqishëm ka hyrë edhe Milani, duke krijuar një derbi edhe në merkato.

Mesfushori italian e të qartë në kokën e tij se tek cila skuadër e Milanos dëshiron të luajë. Nga informacionet e “Calciomercato.com” është zbuluar se Barella dëshiron të vishet zikaltër dhe të luajë për Interin.

Marotta dhe Ausilio u takuan para pak ditësh me agjentin e lojtarit, Alessandro Beltrami dhe kanë arritur marrëveshjen ekonomike mes lojtarit dhe klubit. Inter e Cagliari kanë akord për shifrat e kalimit të 22-vjeçarit në “San Siro” dhe marrëveshja duket e mbyllur.

Duke parë të gjithë këto zhvillime, Milani është kthyer vonë të interesohet për italianin, që e ka marrë vendimin e tij, për të luajtur nën urdhrat e Antonio Conte.

Kujtojmë që Milani kishte vendosur kontakt me Barellan nëpërmjet Leonardos para pak muajsh, por kjo pistë mbeti pezull dhe largimi i brazilianit i dha kohë Interit për të lëvizur qetësisht. Tani që Maldini po synon talentin italianë është tepër vonë.