Përse njeriu kafshon, shqyen, helmon me fjalën e hidhur?! A mos do të kishte qenë më mirë të ndërronte lëkurë, të vishte një gëzof dhe ta zbulonte natyrën kafshërore, pa e brerë ndërgjegjja dhe pa bërë pyetjen pse?
Mos do të kishte qenë më mirë që kafsha të zinte vendin e njeriut dhe njeriu të kafshës? Zija Çelës jo rrallë i kanë ndodhur “déjà vu”të. Ka imagjinuar situata, i ka hedhur në letër e pastaj i ka parë ose jetuar. “Ora e Zooparkut” është pikërisht një nga ato “déjà vu”, zënë fill vite më parë, e sot e veshur me imazh, në realitetin e përditshëm shqiptar. “Ora e Zooparkut”, kështu titullohet romani më i ri i shkrimtarit Zija Çela, botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Një roman mbi brerjen e ndërgjegjes, asaj ndjesie, që të bren, edhe kur natyra e kafshës e ka mposhtur humanen. Çela mblodhi miqtë e vet poetë e shkrimtarë, të ndante me ta dy fjalë për këtë vepër më të fundit, që si gjithmonë noton mes ëndrrës dhe të jetuarës. “Më ka ndodhur dhe herë tjetër që më përpara t’i shkruaj disa gjëra dhe më pas më del përpara ai realitet që unë kam përfytyruar. ‘Ora e Zooparkut’ është ora e sotme në Tiranë dhe është pikërisht në domethënien thelbësore të kohës jo thjesht në erëzat që përbëjnë kohën e sotme”, thotë Zija Çela, që personazhin kryesor e ka vendosur në Tiranë, por mund të jetë kudo, ani pse kopsht zoologjik vetëm në Tiranë ka. Për shkrimtarin Besnik Mustafaj, “Gjuha e Zija Çelës në këtë roman ka saktësinë dhe harmoninë e zemrekut të orës”. Ndërsa Rudolf Marku e quan një roman të shkëlqyer. “Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtimkllapisë që e afrojnë njeriun me të vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe.
Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit. Romani ‘Ora e Zooparkut’ është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë”. Për Mehmet Krajën “me këtë roman të Zija Çelës proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithëpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative dhe e bashkëkohë simit subjektor, e qëndrueshmërisë artistike dhe depërtimeve të reja në fushën e ideve, në fushën e shprehjes artistike dhe të kultivimit të gjuhës”.
Mënyra se si i lindi ideja për të shkruar romanin e ri, është disi e veçantë. Nuk ishte nga ato rastet e përhershme, me ecejake në verandë, duke thithur cigaren, nën kujdesin e vazhdueshëm të mamit (bashkëshortes). “Kujtoj që para 78 vitesh një shoqatë e mbrojtjes së natyrës na kishte ftuar mua dhe disa të tjerë për të parë lumin e Erzenit. Atje po bisedoja me një zonjë të letrave dhe e pyeta se ku banon. Më tha që banonte diku afër Kopshtit Zoologjik dhe bënte dhe shëtitje e vrapime atje. I them: pse nuk shkruan dhe ti një roman ‘Ora e Zooparkut’? Ajo mbeti e habitur. Kaluan vite e vite dhe me sa duket intensiteti i metaforës së ardhshme kishte mbetur brenda meje. Ishte si ai embrioni që shpërthen brenda farës së vet dhe doli e u rrit”. Dhe nga ai kopsht zoologjik lindën figurat, një roman i tërë. Dhe njerëzit u shndërruan në kafshë e dhitë e Marc Chagall nisin e i bien violinës në pranverë.
“Në kopshtin zoologjik të kryeqytetit shtohen kafazet, por pakësohen kafshët. Atëherë lind ideja që në to të hyjnë njerëz, që fillojnë kafshërojnë njëlloj si kafshët. Ul ërijnë, hungërijnë, kafshojnë si tigri. Pyetja thelbësore është pse ndodh kjo? Ka një dallim mes njeriut dhe kafshës. Njeriu thuhet ka ndërgjegje, kafshët nuk e njohin pyetjen pse. Pse ndodhi kjo apo pse e bëra unë këtë, përse rashë në korrupsion, përse kreva krim. Këta tipa njerëzish që shkojnë në kafaze u përkasin të gjitha shtresave, nga më të ulëta deri tek intelektualët dhe politikanët. Shkojnë pikërisht për të fshehur fajet që kanë bërë, për të mos e pyetur veten pse e bëra, kur e bëra, për ta mohuar ndërgjegjen e tyre”, thotë Zija Çela, duke zbërthyer metaforën që përshkon librin. “Por ka një problem, kur ti kërkon t’i ikësh vetes, ti kërkon t’i ikësh të vërtetës. Por të vërtetës, vetes, vdekjes dhe Zotit nuk i ikën dot”, thotë Çela. E megjithatë, për të treguar bishën që është brenda nesh, nuk është e nevojshme të shkosh në kopshtin zoologjik e të hysh në kafaz. Ajo është aty dhe nxjerr dhëmbët sa herë të jetë rasti. “Prandaj çdo herë do të ketë një orë të zooparkut”. (panorama)