Skuadra mbretërore, përkatësisht 34 herë kampioni i Spanjës dhe 14 herë kampioni i Evropës, Real Madridi është turpëruar duke u mposhtur, gjegjësisht eliminuar nga Kupa e Mbretit, nga skuadra e kategorisë së tretë të Ligës spanjolle, Alcoyano me 2-1. Këtë fitore klubi i ligës së tretë spanjolle, e mori pasi ndeshja shkoi në vazhdime. Ishte Casanova që do të shënonte për vendasit, gol që doli gol i fitores për skuadrën e vogël, e cila garon në Ligën e Tretë të Spanjës.
Pas kësaj humbje turpëruese ka folur edhe trajneri i Realit, Zinedine Zidane. Ai tha se përgjegjësia për humbjen është e tij. “Unë mendoj kështu, por ju duhet t’i pyesni lojtarët, nëse ende e kam mbështetjen e tyre. Kemi bërë gjëra të mira, jo aq shumë kohët e fundit. Përveç lojërave të fundit kemi bërë gjëra të mira këtë sezon. Ne duhet të përqendrohemi dhe të përmirësohemi. Kur humbet, gjithmonë merr kritika. Unë marr përgjegjësitë dhe çdo gjë që duhet të ndodhë, le të ndodhë. Jam shumë i qetë, lojtarët donin ta fitonin ndeshjen. Ata përpiqen, por ndonjëherë ndodhin gjëra të çuditshme. Si trajner duhet të marr përsipër përgjegjësinë. Futbolli është kështu. Portieri i tyre ka bërë dy ose tri pritje dhe nuk na lejoi të shënojmë golin e dytë. Por, unë e marr përgjegjësinë. Ne jemi eliminuar, është një moment i vështirë. Na u desh të bëjmë diçka tjetër, por nuk mundëm. Është shumë e vështirë, sepse kemi luajtur kundër një skuadre të ‘Segunda B’ dhe duhej ta fitonim ndeshjen, por nuk ka shkuar kështu. Nuk është turp, mund të ndodhë. Këto janë gjëra që ndodhin në një karrierë futbolli. Marr përgjegjësinë dhe do të vazhdojmë të punojmë. Nuk do të çmendemi”, tha pas ndeshjes Zidane.
Jonathan Niguez: Unë doja fanellën e një tjetër futbollisti, por djali më tha që t’ia marr Modricit
Në anën tjetër, pas ndeshjes futbollistët e Alcoyanos morën edhe fanella të lojtarëve të Real Madridit, por sipas rregullave kundër Koronavirusit atyre u dhanë të reja dhe jo ato që u përdorën në lojë. Kapiteni i skuadrës Alcoyanos, Jonathan Niguez Esclapez ka zbuluar se djali i tij ka kërkuar nga ai që t’ia merrte fanellën Luka Modricit pas ndeshjes kundër Real Madridit. “Për ne kjo do të thotë gjithçka, sepse këtu tani jemi në një situatë shumë të komplikuar për shkak të koronavirusit dhe për disa orë njerëzit e Alcoy, falë Zotit, kanë qenë në gjendje të harrojnë problemet”, tha ai. “Madridi na kontaktoi për të zgjedhur fanellat dhe javën e kaluar drejtori ynë sportiv doli me një listë dhe na tha të shprehim kërkesat tona. I kërkova Kroos, por djali im tha ‘Kroos? Jo, Modric. Dhe unë duhej të ndryshoja“, përfundoi ai.
“Marca” sulmon hapur Zidane, i rreshton 9 “viktimat” e tij
Spanjollja “Marca” ka shpërthyer sot kundër trajnerit Zinedine Zidane. Ajo e quan të mbyllur ciklin e tij në krye të Real Madridit, duke i numëruar edhe nëntë “viktimat” e mënyrës së drejtimit të francezit:“Martin Odegaard është i vendosur të largohet, ai nuk është i pari që e bën këtë me Zidane në stol. Jo të gjithë futbollistët që kanë kaluar nëpër duart e francezit kanë prekur lavdinë me tri Ligat e Kampionëve radhazi. Shumë vendosën ta kërkonin fatin e tyre diku tjetër për shkak të mungesës së mundësive. Lista është e gjerë, por më e rëndësishmja, kur bëhet fjalë për bastet e ardhshme për klubin janë këto: Morata, Kovacic, Brahim, Ceballos, Theo, Reguilón, Odegaard, Jovic dhe Llorente. Çështja Achraf Hakimi është e ndryshme, pasi ishte më shumë një detyrim për klubin për të fituar para dhe Zidane i donte ato. James dhe Bale, gjithashtu u larguan, por në këtë rast, gjithashtu në marrëveshje me klubin. Ata kishin më shumë mundësi dhe madje luajtën me Zidane. Morata ishte një nga të parët që e e hodhi hapin, ndërsa Jovic i fundit në listën e “viktimave” të francezit. I pari po e dëshmon veten qartë te Juventusi, ndërsa serbi, që kushtoi 60 milionë euro, edhe me miratimin e Zidane, është kthyer në Gjermani. Ai nuk u përshtat kurrë në Madrid, sepse Zidane nuk i dha minutat e duhura. Pas kthimit tek Eintracht, i huazuar, Jovic shënoi dy gola në pak më shumë se 20 minuta lojë. Aq gola nuk i realizoi dot te Reali për një vit e gjysmë. Akuzë më të qartë nuk mund të ketë për trajnerin”