Spanja është goditur nga stuhia Filomena dhe një pjesë e mirë e vendit është mbuluar nga dëbora, ndërsa shumë ndeshje futbolli u shtynë, mes tyre edhe ajo mes Atletico Madridit dhe Athletic Bilbaos, por jo transferta e Reait të Madridit ndaj Osasunës.
Los Blancos fluturuan drejt Pamplonës, ku qëndruan përreth 3 orë në ajër, pasi qyteti ishte zbardhur nga dëbora dhe ulja e avionit ishte thuajse e pamundur, ndërsa më pas luajtën ndaj Osasunës vendase në një temperaturë disa gradë nën zero.
Sfida përfundoi në barazim pa gola, por rezultati ishte ai për të cilin Zinedine Zidane shqetësohej më pak, sepse menjëherë pas ndeshjes nuk i kurseu kritikat për vendimin që takimi të luhej, pavarësisht vështirësive atmosferike.
“Mendoj se për kushtet atmosferike, ky takim duhej të shtyhej. Qëndruam tre orë në ajër, në pritje për t’u ulur dhe më pas luajtëm në kushte shumë të vështira. Kjo nuk ishte aspak një ndeshje futbolli, ndaj nuk më intereson as rezultati. Nuk ishin as kushtet më minimale për të luajtur një ndeshje futbolli, si për ne, ashtu edhe për kundërshtarët”, u shpreh Zidane.
Takimi i radhës i madrilenëve është planifikuar për të mërkurën në mbrëmje ndaj Athletic Bilbaos në stadiumin “Alfredo Di Stefano”, ndërsa shqetësimi i trajnerit Zidane tani lidhet me rikthimin në kryeqytet.
“Na kanë thënë se aeroporti i Madridit është i mbyllur përkohësisht për shkak të dëborës dhe do të vijojmë të qëndrojmë këtu. Shpresoj që të kthehemi të hënën, pasi të mërkurën kemi një ndeshje tjetër dhe nuk kemi aspak kohë për t’u përgatitur”, deklaroi Zidane.