Në dy sezonet e fundit ka fituar 2 Champions League, një titull kampion në La Liga, një Superkupë të Spanjës, 2 Superkupa të Europës dhe një Botëror për skuadra. Por të jesh trajner i Real Madrid nuk është e lehtë, pasi duhet të fitosh dhe të jesh gjithnjë në majë, ndaj e ardhmja e një trajneri nuk është asnjëherë e sigurt. Këtë gjë po e mëson së fundi edhe trajneri francez Zinedine Zidane, që kupton se mbështetja ndaj tij nga ana e klubit nuk është ajo e disa muajve më parë.
Sipas të përditshmes spanjolle “Don Balon”, e ardhmja e Zinedine Zidane nuk është aq e sigurt sa në fillim të sezonit, ndërkohë që edhe dje Real fitoi me shumë vështirësi 3-2 ndaj Malaga, që renditet në vendet e fundit. Presidenti Florentino Perez ka vendosur se nëse skuadra këtë vit nuk arrin të fitojë trofe të rëndësishëm, atëherë aventura e trajnerit francez te Real mund të konsiderohet e përfunduar. Burime nga klubi bëjnë me dije se Perez ka piketuar italianin Antonio Conte si pasuesin e mundshëm të Zidane.
Conte është trajneri i Chelsea dhe ka lënë përshtypje të mira te Perez, ndërkohë që kandidat tjetër është edhe Joakim Loew, drejtuesi aktual i kombëtares së gjermanisë. Por duket se presidenti i Real Madrid është më shumë i fokusuar te Conte, që punon mirë me lojtarët dhe arrin të menaxhojë kampionët, duke qenë se ka përvojë në disa kampionate. Për më tepër që kalimi nga Zidane te Conte mund të jetë më i lehtë, duke qenë se në anën taktike, të dy kanë të njëjtin tip loje, ndërkohë që kanë qenë edhe shokë skuadre te Juventusi vite më parë.