Shkup, 28 qershor 2020 (MIA) – Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, gjatë vizitës së vendit të pushimit të përjetshëm të nënshkruesve të Marrëveshjes Kornizë – Boris Trajkovski dhe Imer Imeri, ka shprehur respekt për kontributin e tyre.
“Kemi nder dhe respekt të veçantë ndaj njerëzve që kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e karakterit multietnik të vendit, që lanë një trashëgimi të madhe të shndërruar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila tashmë është bërë pjesë e preambulës së Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë Veriore, si një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ngritet vendi”, theksoi Ziberi.
Ziberi e vlerësoi si historik kontributin e Trajkovskti dhe Imerit në ndërtimin e shoqërisë së sotme multietnike, duke theksuar më tej se si vend medoemos duhet të përkujdesemi dhe ta përmirësojmë këtë trashëgimi, duke e përforcuar kështu besimin mes bashkësive etnike.
“Nën kujdesin e Boris Trajkovskit si president i vendit, u mbajtën bisedime politike gjatë përpilimit të Marrëveshjes Kornizë, dhe Imer Imeri si kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik, ishte një nga katër përfaqësuesit politik që udhëhiqnin negociatat dhe që në fund nënshkruan këtë Marrëveshje”, shtoi Ziberi.