Shkup, 13 gusht – Ekspertët në Maqedoninë e Veriut edhe pas 18 vjetësh vazhdojnë të jenë të ndarë sa i përket efekteve që ka prodhuar Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001. Dokumenti kornizë i Ohrit, që u nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, duhej të zbatohej brenda katër vjetësh. Ky dokument, në bazë kishte avancimin e të drejtave të shqiptarëve, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e Veriut ka avancuar në masë të theksuar kërkesat e shqiptarëve, por njëkohësisht janë evidentuar edhe ngecje në zbatimin në praktik të normave ligjore që burojnë nga ky dokument, thotë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi, një nga ekspertët që ka marrë pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Maqedonia e Veriut para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit sigurisht se nuk është e njëjtë. Maqedonia e Veriut ka transformime serioze në mënyrën e funksionimit, në mënyrën e barazisë së të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike dhe në mënyrën e realizmit të aspiratave të komuniteteve joshumicë, këtu në rend të parë shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit sigurisht se ka dhënë kontribut serioz në këtë drejtim”, thotë Ziberi.
Sipas tij, është e rëndësishme që të vazhdojë të mbizotërojë fryma e Marrëveshjes së Ohrit edhe në të ardhmen, në mënyrë që, sipas tij, shteti të funksionojë mbi konceptin shumetnik.
“Fryma e Marrëveshjes së Ohrit duhet të mbetet, por ajo do të varet edhe nga përfaqësuesit politikë në rend të parë ata shqiptarë, por edhe ata maqedonas se sa do të jenë në funksion të kësaj fryme për të funksionuar Maqedonia e Veriut si shtet mbi këto parime. Kjo nënkupton funksionimin e shtetit mbi parimet e konsensualitetit, që do të thotë eliminimit të mbivotimit, eliminimit të shumicës dhe ndërtimit të një shoqërie harmonike, shumetnike. Kjo frymë duhet të vazhdojë të mbizotërojë në funksionimin e sistemit të shtetit, por për fat të keq jo gjithherë ndodh kështu. Maqedonia e Veriut si shtet në disa segmente me inercion funksionon jashtë Marrëveshjes së Ohrit, jashtë frymës së këtij dokumenti-kornizë dhe kjo është problem i cili duhet të luftohet në mënyrë permanente nga përfaqësuesit politikë”, thotë Ziberi.
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar ndërmjet faktorëve politikë maqedonas dhe shqiptarë, i dha fund konfliktit të armatosur pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ky dokument në thelb kishte ndërprerjen e armiqësive, zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë, të drejta për arsim të lartë për shqiptarët, përdorimin zyrtar të gjuhëve për etnitet e përfaqësuara mbi 20 për qind, shprehjen e identitetit etj.