Shkup, 10 shtator – Qëndrimi ynë për referendumin më 30 shtator është se ne jemi për NATO-n dhe për Bashkimin Evropian, theksoi sot kryetari i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela, duke e ftuar anëtarësinë e partisë që të votojë në referendum, kur do të duhet të vendoset për perspektivën e dhe për të ardhmen e kësaj shoqërie.
“Më 30 shtator shqiptarët nuk do të lejojnë sërish të vendoset muri që do t’i ndajë shqiptarët që jetojnë në Ballkan, në dy anë të ndryshme, siç ka qenë në periudhën prej mbi 50 viteve gjatë komunizmit”, potencoi Sela.
Ai u bëri thirrje të gjithëve që të votojnë në referendum dhe të japin mbështetje.
“Çmimi për anëtarësim të Maqedonisë në NATO nuk duhet të jetë korrupsioni, çmimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO duhet të jetë transparenca, duhet të jetë nderi dhe duhet të jetë ndërtimi i të ardhmes. Ka alternativë për gjithçka, vetëm për një gjë nuk ka alternativë, e ajo është NATO-ja dhe Unioni”, theksoi kryetari i Aleancës për shqiptarët.
Ai me rastin e fillimit të fushatës për referendumit, theksoi se në periudhën e ardhshme do të mbahen debate me qytetarët me qëllim që ta shprehin mendimin, si dhe se do t’u sqarohen të gjitha përfitimet të gjithë atyre që janë me qëndrim skeptik.
“E fillojmë fushatën tonë për referendumin më 30 shtator me moton “për NATO dhe për BE”. Shtabi i Aleancës për shqiptarët i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me mobilizimin e të gjitha strukturave partiake dhe formoi 27 shtabe lokale dhe komunale. Formoi edhe axhendë të takimeve me aktivitetet dhe qytetarët, që do të jenë në formë të debateve”, sqaron Bujare Abazi, nënkryetare e shtabit.
Takimet me qytetarët do të mbahen në qytetet: Gostivar më 12 shtator, Kërçovë më 14 shtator, Kumanovë më 16 shtator, Manastir më 19 shtator, Dibër më 21 shtator, Shkup më 23 shtator, Strugë më 25 shtator dhe në Tetovë më 27 shtator përfundon fushata.