Si pjesë e konsultimeve me partitë politike për gjendjen aktuale politike në Maqedoni dhe formimin e Qeverisë së re, presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov mban takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Ivanov paraprakisht pati takime të ndara me udhëheqësitë e Besës dhe Aleancës për Shqiptarët. Liderët e Besës dhe të Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasami dhe Zijadin Sela, pas bisedave me Ivanovin nuk dhanë deklarata për mediat.
Në vilën presidenciale “Vodno” pasdite shefi i shtetit duhet të mbajë takime edhe me liderët e LSDM-së Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Në konsultimet me presidentin Ivanov, siç informojnë nga kabineti i tij, janë ftuar edhe përfaqësues të PDSH-së.
Konsultimet me partitë politike, të cilët janë përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, janë me iniciativë të presidentit Ivanov, ndërsa vijojnë pas takimeve të tij me kryetarin e Gjykatës kushtetuese Nikolla Ivanovski dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë, Samuel Zhbogar.
Ivanov në takimin e djeshëm me kryetarin e Gjykatës kushtetuese, ka theksuar se deri tani ka vepruar ekskluzivisht në kuadër të të drejtave të veta, detyrave dhe kompetencave, duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Ai ka potencuar se edhe lidhur me situatën aktuale politike do të veprojë në pajtim me përcaktimet kushtetuese dhe ekskluzivisht në interes të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.