Shkup, 16 nëntor – Arsimi i mirë dhe vendosja e bazave të mira në fëmijërinë e hershme janë parakusht për arritje më të mira më tutje në jetë, tregojnë hulumtimet më të reja shkencore. Fëmijët që kanë qenë të kyçur në arsim parashkollor kanë rezultate dhe aftësi më të mira për të mësuar se sa ata të cilët nuk kanë qenë të kyçur dhe kjo mund të shihet që në klasën e parë të arsimit fillor. Prandaj nevojitet rritje e vazhdueshme e kapaciteteve dhe kompetencave të kuadrit të përgjithshëm që është i kyçur në arsimin parashkollor, që është qëllim edhe i punëtorisë së sotme për kompetenca profesionale për edukatorët për përmirësim të rezultateve zhvillimore tek fëmijët.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha se prioritet i kësaj Qeverie është investimi në fëmijë, se punon intensivisht për rritje të përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor për çka deri në fund të mandatit pret të jetë rreth 50 për qind. Për momentin, në arsimin parashkollor janë të kyçur rreth 1/3 e fëmijëve në Maqedoni. Posaçërisht problematike, sipas saj, është që në mjediset rurale, qasja, e me atë edhe përfshirja, është shumë e vogël, dhe se po punohet që edhe këto gjendje të ndryshohen. Së bashku me rritjen e përfshirjes, po punohet edhe në rritjen e kompetencave të kuadrit me qëllim që fëmijët të marrin arsim dhe edukim më cilësor.
“Të gjithë të cilët janë të punësuar , të cilët i rrisin fëmijët tanë në kopshte, duhet t’i kenë kompetencat e njejta me qëllim që dëmijët në moshë më të re të përfitohen me të gjitha shkathtësitë dhe dituritë që u nevojiten në jetë në mënyrë që të mund t’i përballin të gjitha sfidat, ndërkaq e dimë se janë të shumta. Shkencërisht është dëshmuar se fëmijët të cilët marrin mësim të mirë në moshë të hershme, kanë performanse më të mira në arsimin fillor, tlë mesëm dhe të lartë dhe kontribuojnë më shumë në rritjen ekonomike de zhvillimin e një shteti”, tha Carovska.
Ajo potencoi se po punohet intensivisht edhe në përhapjen e infrastrukturës dhe në rritjen e kapaciteteve, por edhe se po punohet në rritjen e kompetencave të të punësuarve. është identifikuar mungesë e kuadrit, dhe prandaj janë miratuar punësime të rreth 1.200 perosnave.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi theksoi se po punohet në zgjidhje sistematike dhe harmonizimi të procesit edukativ arsimor edhe në kopshte edhe në shkollat fillore dhe të mesme.
“Edhe punëtoria e sotme është pjesë e aktiviteteve për përmirësim të cilësisë së procesit arsimor parashkollor dhe shkollor. jemi maksimalisht të përkushtuar në cilësinë e kompetencave dhe edukatorëve dhe në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla dhe kopshte, si dhe në përmirësimin e cilësisë së planeve dhe programeve mësimore”, tha Ademi.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni, Benxhamin perks tha se duhet të mundësohet qasje e barabartë e të gjithë fëmijëve drejt arsimit parashkollor, sepse fëmijët nga familjet më të varfëra kanë 200 herë gjasa më të vogla të jenë të kyçur, për dallim nga më të pasurit. Kjo, potencoi Perks, duhet të ndryshojë.
“Kjo nuk është e drejtë sepse nëse shikoni në shkolla në klasë të parë në arsim fillor, mund të vëreni se ka dallime të mëdha gjuhësore, si dhe dallime në aftësinë për mësim të fëmijëve që kanë vizituar apo nuk kanë vizituar arsim parashkollor”, tha Perks.
Sipas tij, vitet e hershme në fëmijëri janë periudhë kur vendosen bazat dhe nëse dëshirojmë ato të jenë bazë për zhvillim të mirë sociologjik, ekonomik dhe demokratik, duhet t’u jepet arsim i klasit të parë fëmijëve prej moshës trevjeçare e më tutje.
“Prandaj nevojitet avancim i kompetencave të të gjithëve që janë të kyçur në procesin e arsimit parashkollor në mënyrë që të mund t’u ndihmojnë në zhvillimin social, emocional dhe konjitiv të fëmijëve”, tha Perks.
Ai shtoi se procesi i mirë arsimor që në moshë më të hershme do t’ua zhvillojë fëmijëve të gjitha aftësitë, të nevojshme për jetë të mëtutjeshme, si aftësinë për mësim, qëndrueshmëri, përballje me afidat dhe sjellje të vendimeve të rëndësishme për jetën e tyre.